Foda: Kemi dëshmuar se mund të arrijmë fitore si mysafirë
Kosova nesër do të përballet me Sllovakinë në Bratisllavë në ndeshjen historike të “play-off”-it në kuadër të kualifikimeve në Kupën e Botës.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda tha se “Dardanët” kanë bërë përgatitjet e duhura para këtij takimi teksa u shpreh se tashmë ekipi që ai drejton ka dëshmuar që mund të arrijë fitore edhe si mysafirë.
“Besoj që jemi përgatitur mirë, në dy ditët e fundit kemi pasur seanca të mira stërvitore. Kemi punuar mjaft mirë, tashmë po shohim përpara për ndeshjen e nesërme për të dëshmuar se mund të arrijmë fitore sërish si mysafirë siç kemi dëshmuar në ndeshjet e kaluara kundër Suedisë dhe Sllovenisë”, tha Foda.
Kujtojmë se në rast të fitores potenciale ndaj Sllovakisë, Kosova do të pres fituesin e duelit tjetër Turqi-Rumani ku edhe do të përcaktohet skuadra që do të sigurojë biletën për në Kampionatin Botëror 2026. /klankosova