Kosova U21 mundët nga Rumania

Kosova U21 mundët nga Rumania

Sport March 27, 2026 - 21:26

Kosova U21 është mposhtur në shtëpi nga Rumania U21 me rezultat minimal 0-1, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian për këtë grupmoshë.

“Dardanët” e rinj zhvilluan një paraqitje solide, duke e kontrolluar në pjesë të madhe lojën dhe posedimin e topit, por pa arritur ta konkretizojnë epërsinë me gol. Rastet më të mira të vendasve erdhën përmes krahëve, megjithatë mungoi finalizimi.

Edhe mysafirët nga Rumania patën disa kundërsulme të rrezikshme, por mbrojtja e Kosovës ishte në nivel për pjesën më të madhe të takimit.

Goli vendimtar erdhi në minutën e 67-të, kur Vermesan shfrytëzoi një asistim nga Trica dhe përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit për të shënuar golin e vetëm të ndeshjes.

Kosova tentoi të reagojë në minutat e mbetur, por nuk arriti të depërtojë mbrojtjen e organizuar rumune.

Me këtë humbje, zbehen gjasat e Kosovës U21 për kualifikim në Kampionatin Evropian, duke mbetur në vendin e katërt me tetë pikë, ndërsa Rumania ngjitet në pozitën e tretë me 10 pikë.