Qeveria ndan 500 mijë euro për Kombëtaren e Kosovës, premton edhe 1 milion nëse e mund Turqinë
Foto: Laura Hasani

Qeveria ndan 500 mijë euro për Kombëtaren e Kosovës, premton edhe 1 milion nëse e mund Turqinë

Sport March 30, 2026 - 09:47

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar vendimin për t'i ndarë 500 mijë euro shpërblim Kombëtares së Kosovës.

Premtimi i qeverisë “Kurti” ishte që në rast se kalohet Sllovakia dhe Dardanët do të shkojnë në finale, do të kenë 500 mijë euro shpërblim.

Tanimë në mbledhjen e mbajtur sot vendimi është miratuar dhe 500 mijë euro do të transferohen në llogarinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, ku pastaj FFK do t'i shpërndajë te futbollistët dhe stafi.

Kujtojmë se Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë nesër (e martë) ndeshjen finale ndaj Turqisë me fillim nga ora 20:45, ku fituesi shkon në Kampionatin Botëror.

Në rast se Kosova shkon në Botëror, atëherë Qeveria e Kosovës do t'i ndajë edhe 1 milionë euro të tjera premio për futbollistët dhe stafin.

"Triumfi në Bratislavë, ku Sllovakia u njoh me futbollistët të rangut botëror nga Kosova, përbën një moment dhe sukses historik për vendin tonë. Në fund të nëntorit i ndamë 250 mijë euro për sigurimin e play-offit dhe po atë ditë u zotuam se do të ndajmë 500 mijë euro të tjera në rast së fitores ndaj Sllovakisë", tha Kurti.

"Ky zotim do të jetësohet sot, por dua që kjo mos të mbarojë këtu. Urojë që djemtë tanë shembullorë, të cilët i takova mbrëmë, të fitojnë finalen e play-offit dhe të shkruajnë emrin e tyre në historinë e Kosovës. Kualifikimi në Kupën e Botës do të shënonte shënimin e 10-vjetorit të pranimit në UEFA dhe FIFA. Në rast kualifikimi në Kupën e Botës do të ndajmë edhe 1 milionë euro të tjera për ekipin përfaqësues".

"Po zotohemi sot se nëse shkojmë tutje dhe kualifikohemi do të ketë shpërblime që nuk ua merr mendja, për sukseset që do të pasojnë në Kampionatin Botëror që do të mbahet në SHBA", tha Kurti.

"Qiti paret kryeministër" - kjo thënie u bë virale pasi e tha Përparim Rama menjëherë pas fitores së Kosovës në Sllovaki, ku i pari i kryeqytetit të Kosovës postoi një foto në Facebook së bashku me Glauk Konjufcën, Faton Pecin e Ramiz Lladrovcin nga shkallët e stadiumit.