Krasniqi publikon foto me Thaçin e Vokrrin: Sonte luajmë për ëndrrën e madhe amerikane
Ish-kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, ka ndarë një mesazh emocionues në prag të ndeshjes vendimtare të Kombëtares së Kosovës, duke rikujtuar rrugëtimin e futbollit kosovar ndër vite.
Përmes një postimi, Krasniqi ka publikuar një fotografi nga viti 2014, pak para ndeshjes së parë zyrtare miqësore të Kosovës, duke e cilësuar atë moment si fillimin e një rrugëtimi historik.
“Një foto pak ditë para hapit të parë. Para ndeshjes së parë zyrtare miqësore të Kosovës në vitin 2014. Pranë meje, dy njerëz që i dhanë drejtim këtij rrugëtimi: njëri që ia hapi Kosovës dyert e botës dhe tjetri që i dha shpirt e drejtim futbollit tonë”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar krenarinë për kontributin e përbashkët në zhvillimin e futbollit kosovar, ndërsa ka vënë në pah rëndësinë e ndeshjes së sontme, të cilën e cilësoi si një kapitull të ri historik për vendin.
“Sonte, 12 vite më vonë, Kosova luan për një kapitull tjetër historie. Për ëndrrën e madhe amerikane”, ka shtuar Krasniqi.
Në mesazhin e tij, ai ka kujtuar edhe legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, duke e lidhur ndeshjen me vizionin dhe kontributin e tij për futbollin në vend.
“Në stadiumin që e mban emrin e Fadil Vokrrit, djemtë tanë zbresin në fushë për një mision të shenjtë. Fadil, kjo është edhe për ty. Për vizionin tënd. Për besimin tënd”, ka shkruar ai.
Në fund, Krasniqi ka bërë thirrje për mbështetje ndaj Kombëtares, duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “Zoti qoftë me ne! Forca Kosovë!”.