Gallapeni: Humbje që dhemb, por ju premtoj se do të kthehemi edhe më të fortë
Pas disfatës së dhimbshme 0-1 në finalen e play-offit për Kupën e Botës ndaj Turqisë, mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Dion Gallapeni, ka reaguar me një mesazh emocional, duke reflektuar mbi atë që ndodhi në fushë.
Ai theksoi se humbja dhemb, sidomos duke pasur parasysh angazhimin maksimal të ekipit dhe besimin që kishte ekzistuar deri në fund për një rezultat pozitiv. Sipas tij, skuadra dha gjithçka në këtë përballje vendimtare, por nuk arriti të realizojë objektivin.
Gallapeni u ndal edhe te zhgënjimi i tifozëve, duke thënë se e ndjen atë njësoj si gjithë të tjerët, por nënvizoi se momente të tilla e bëjnë ekipin më të fortë dhe më të bashkuar për sfidat e ardhshme.
Në fund, ai falënderoi publikun për mbështetjen e vazhdueshme dhe premtoi se Kombëtarja do të rikthehet më e fortë, me synimin për të luftuar deri në fund për ëndrrat e nisura së bashku.
Reagimi i plotë i Gallapenit, pa ndërhyrje:
Nuk ia dolëm… por kjo nuk na ndal.
Është një humbje që dhemb, sepse dhamë gjithçka në fushë dhe besuam deri në fund.
E ndjej zhgënjimin e secilit prej jush, por këto momente na bëjnë më të bashkuar, më të uritur për suksese dhe më të vendosur për të mos u dorëzuar kurrë.
Faleminderit për mbështetjen, ju premtoj se do të rikthehemi më të fortë dhe do të luftojmë deri në fund për çdo ëndërr që kemi nisur së bashku.