Mesazhi motivues i Vojvodës për bashkëlojtarët: Shqiptari dhe besimtari kurrë nuk dorëzohet
Pas humbjes së Kombëtares së Kosovës nga Turqia me rezultat 0-1 në finalen e “play-off”-it për Kupën e Botës, Mërgim Vojvoda ka reaguar me një mesazh emocional, duke reflektuar mbi momentin e vështirë dhe duke theksuar rëndësinë e unitetit brenda ekipit.
Në postimin e tij në Instagram, Vojvoda përmendi me emër secilin bashkëlojtarë, duke e përshkruar dhomën e zhveshjes si simbol të lidhjes dhe forcës së përbashkët. Sipas tij, pavarësisht dhimbjes së humbjes, ekipi qëndron i bashkuar duke qeshur dhe duke qarë së bashku, si një familje e vetme.
Vojvoda bëri thirrje që askush të mos humbasë dëshirën për të bërë diçka të madhe për vendin, duke theksuar se pranimi i humbjes është pjesë e rrugës drejt suksesit. Ai nënvizoi gjithashtu se karakteri i shqiptarëve është të mos dorëzohen kurrë.
Në fund, mesazhi i tij përcolli optimizëm për të ardhmen, me një synim të qartë - rikthimin më të fortë dhe fokusin drejt objektivave të ardhshme, si Kampionati Evropian 2028.
Postimi i plotë i Vojvodës, pa ndërhyrje:
Aro, Kresh, Fidi, Amir, Dion, Ilir, Lumi, Albian, Floki, Leart, Vesel, Lindon, Valonzy, Flo, Elvis, Hoxha, Ermal, Albion, Mili, Vedo, Viski, Saipo, Baton, Fisi, Leon, Rroni, Edon, muli, kore..
Mos lejoni kurrë që dikush t’ju heqë qoftë edhe një grimcë dëshire për të bërë diçka të madhe për këtë vend
Qajmë dhe qeshim së bashku, kjo Dhoma e Zhveshjes është uniteti ynë.
Pranoni humbjen, sepse kështu do të fitojmë. Shqiptari edhe besimtari kurrë nuk dorëzohet.
…Euro 28