Vendos vetëm një kusht, Andy Robertson i thotë “po” rivalit në Ligën Premier
Andy Robertson ka arritur një marrëveshje për t’iu bashkuar Tottenham Hotspur këtë verë, sapo kontrata e tij me Liverpool të përfundojë, sipas raportimeve të fundit.
Mbrojtësi skocez ishte shumë pranë transferimit te Spurs gjatë afatit kalimtar të janarit, por marrëveshja dështoi pasi Liverpool nuk arriti të gjente në kohë një zëvendësues të përshtatshëm.
“The Athletic” raportoi fillimisht se Tottenham është në “pole position” për ta transferuar Robertson në fund të sezonit, ndërsa Fabrizio Romano ka shtuar se ekziston tashmë një marrëveshje verbale për ta çuar atë në Tottenham Hotspur Stadium këtë verë.
Megjithatë, marrëveshja nuk është ende e garantuar, pasi Robertson po pret të shohë rezultatin e betejës së Spurs për mbijetesë para se të vendosë firmën. Nëse skuadra e drejtuar nga Roberto De Zerbi mbijeton, atëherë marrëveshja pritet të finalizohet.
Fitorja e West Ham United ndaj Wolverhampton Wanderers të premten ka bërë që Spurs të bien në zonën e rënies nga kategoria, megjithatë ata ende e kanë fatin në duart e tyre dhe mund të dalin nga kjo zonë me një fitore ndaj Sunderland të dielën.
Në letër, pozita e mbrojtësit të majtë nuk duket problem për Tottenham. Destiny Udogie mbetet një nga emrat më të rëndësishëm në skuadër, ndërsa Djed Spence është një alternativë solide, edhe pse natyralisht luan në krahun e djathtë. Gjithashtu, në janar u afrua i riu Souza nga Santos për të ndërtuar për të ardhmen.