Argjentina siguron finalen e Botërorit me një fund dramatik

Argjentina siguron finalen e Botërorit me një fund dramatik

Sport July 15, 2026 - 23:07

Argjentina ka siguruar një vend në finalen e Kupës së Botës, pasi mposhti Anglinë me rezultat 2-1 pas një përmbysjeje dramatike në gjysmëfinalen e zhvilluar në Atlanta.

Kampionët në fuqi do të përballen me Spanjën në finalen e madhe, pasi "Furia e Kuqe" eliminoi Francën me rezultat 2-0.

Pjesa e parë ishte e luftuar, me të dyja skuadrat që krijuan raste, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës.

Argjentinasit iu afruan golit në minutën e 39-të, kur Enzo Fernandez provoi me një goditje të fuqishme nga distanca, por topi përfundoi pak mbi traversë. Më herët, Lisandro Martinez dhe Elliot Anderson u ndëshkuan me kartonë të verdhë pas ndërhyrjeve të ashpra.

Në fillimin e pjesës së dytë, Julian Alvarez testoi Jordan Pickfordin, por portieri anglez reagoi në mënyrë të sigurt.

Megjithatë, ishte Anglia që kaloi e para në epërsi në minutën e 55-të. Morgan Rogers dërgoi një harkim të saktë në zonë, ndërsa Anthony Gordon u shkëput nga mbrojtja dhe me një goditje të shpejtë e dërgoi topin në këndin e poshtëm të portës për 1-0.

Pas golit të pësuar, Argjentina rriti ndjeshëm ritmin e lojës. Jordan Pickford shpëtoi fillimisht portën pas një goditjeje me kokë të Nicolas Gonzalez, ndërsa Alexis Mac Allister goditi shtyllën pas një tjetër rasti të mirë.

Presioni i "Albiceleste" u shpërblye në minutën e 85-të. Lionel Messi gjeti me një pasim të zgjuar Enzo Fernandezin në hyrje të zonës, ndërsa mesfushori realizoi me një goditje të saktë për të barazuar rezultatin në 1-1.

Vetëm shtatë minuta më vonë, në kohën shtesë, Argjentina kompletoi përmbysjen. Lionel Messi dërgoi një harkim perfekt në zonë, ku Lautaro Martinez u shkëput nga mbrojtësit anglezë dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 2-1.

Në fund, Argjentina festoi një fitore me karakter dhe siguroi finalen e dytë radhazi të Kupës së Botës, ku do të tentojë të mbrojë titullin ndaj Spanjës në një përballje që premton spektakël. /telegrafi