Zërat
Emin Azemi
Emin
Azemi

Teki Dervishi, një shkollë e nxënë jashtë librave

Zërat June 29, 2019 - 16:32
Lexoni detajet

(Fjalë e mbajtur të premten në Shkup me rastin e tetë vjetorit të shkuarjes në amshim të shkrimtarit Teki Dërvishi)

Nëse në Britani ekziston si model katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qetshor 2011.

Të gjithë studiuesit e letërsisë, por edhe lexuesit e vëmendshëm të veprës së Teki Dërvishit, janë shoqëruar me jo pak dilema para se t’iu kenë qasur këtij shkrimtari, sa origjinal,po aq edhe kompleks, sa modernist, po aq edhe eksperimental. Teki Dërvishi është ndër shkrimtarët e rrallë të letërsisë sonë që ka mbetur jo vetëm i pastudiuar, por për rrjedhojë, statusi i tij si individualitet krijues nuk e ka zënë vendin e merituar në sistemin e përgjithshëm valorizues të universit tonë letrar, por edhe në njohjen e meritave që ai pati në mbajtjen gjallë të rezistencës intelektuale e protestës krijuese kundrejt sistemeve antikombëtare e akulturuese.

Teki Dërvishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk ishte shkrimtar mode, ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, ndonëse nuk ishte jashtë kohe, ai nuk i takonte oborrit letrar, por vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë...

Në vitin 1981 Teki Dërvishin e larguan nga Flaka e Vëllazërimit, sepse refuzoi të shkruante kundër Ismail Kadaresë, që i bie se ai refuzoi të del kundër vetvetes dhe po të vepronte ndryshe ai nuk do të ishte më Teki Dërvishi. Ishte po ai që i takonte Grupit të Demaçit, si përfaqësues i Rrafshit të Dukagjinit dhe i dënuar si 17 vjeçar me burg të rëndë në ishullin famëkeq të Goli Otokut, që njihej si Alkatrazi i Jugosllavisë së atëhershme, ku vuajtën dënime shumë disidentë të kohës. Kjo ishte edhe një shkollë për T. Dërvishin të cilën ai kishte arritur ta nxëjë jashtë librave, që më vonë ai vet do të bëhej një shkollë për të tjerët e nxënë jashtë librave, por edhe një aksiomë jetësore që e kishte mësuar nga Dush Kusari që ‘kurrë të mos i takonte shumicës’. Ishte po ai i cili veproi gjithmonë sipas dellit të krijuesit e njeriut vertikal që udhën e nisur e përfundonte atje ku i thoshte ndërgjegjja.

Dhe ndërgjegjja e Teki Dërvishit ishte baraz me fuqinë krijuese për t’i bërë një radiografi poetike shtëpisë së sëmurë, e cila po lëngonte mbi gërmadhat e një ngrehine qe herët a vonë duhej rrënuar, por, edhe si i varun me vargje për drurin e blertë, ai arriti ta ruajë pastërtinë e poezisë nga klishetë e socrealizmit dhe skemave të mërzitshme të një letërsie me patos social dhe me avangardizëm të shpifur. (me vëllimet poetike Nimfa 1970, I Varun me vargje për drunin e blertë 1971, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981. Ai, madje, siç do të vëjë në dukje njëri prej njohësve më të spikatur të veprës së këtij shkrimtari, prof. Nehas Sopaj, sipas të cilit Teki Dërvishi jo vetëm që ishte kompleks për nga natyra dhe veçantia e shkrimit, por edhe për faktin se “ai, krahas Marin Camajt dhe Beqir Musliut ,në letërsinë tonë bashkëkohore është një ndër shkrimtarët më produktivë dhe vepra e tij shënon shkollë shkrimi më vete ku autorin e shohim shumë pjellor duke lëruar tri gjinitë letrare paralelisht: poezi, prozë dhe dramë dhe është vështirë të kuptohet pesha dhe rëndësia e veprës së tij nëse lexohet parcialisht, pra nëse lexohet vetëm si poet, si prozator apo si dramaturg. Por, edhe të lexuarit në tërësi të veprës së tij është i vështirë, sepse problem numër një për receptim paraqet mosnjohja e domosdoshme e kodeve të shkrimit të autorit”.

Të rrallë janë shkrimtarët në letërsinë tonë që sistemin e ideve dhe konceptin estetik e kishin të mishëruar si një tërësi në vetë natyrën e krijimit, ose siç do të shprehet një studiues tjetër meritor i veprës së Teki Dërvishit, Ramadan Musliu sipas të cilit “Teki Dërvishi arriti të krijojë një opus letrar në të cilin hetohet një sistem idesh, një koncept unik estetik, një vetëdije krijuese, e cila kur vështrohet në të gjitha planet, del si një artist në rolin e demiurgut, ai që arrin të krijojë një univers artistik”.

Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, siç ishin Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nexhmedin Soba e ndonjë tjetër, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.

I tillë ishte edhe Teki Dërvishi, i cili madje edhe kur shkruante prozë, shkrinte elemente të tjera të natyrës shkrimore, (duke filluar nga vëllimi me tregime ‘Etje dhe borë’) dhe siç do të vërejë edhe studiuesi Ibrahim Rugova teksa analizonte romanin ‘Pirgu i lartë’ që e konsideronte një prurje të re në letërsinë shqipe për kohën kur u botua (1972) , sidomos sa i përket funksionit të poezisë në roman. Kjo strukturë novatore e të rrëfyerit mbase do ta bëjë ‘Pirgun e lartë’ romanin e parë lirik në letërsinë shqipe, për të vazhduar me një tjetër observim narrativ përmes romanit ‘Herezia e Dërvish Mallutës’’, në të cilin Teki Dërvishi tematizon herezinë e raportit në mes të individit dhe rrethit dhe thellësinë e paradoksalitetit të keqkuptimeve në këto raporte, ku Dervish Malluta prish kanonet të cilave është dashur t’iu përmbahet.

Se Teki Dërvishi është një shkrimtar që kapërcimin e fakturës shkrimore nga një zhanër në zhanrin tjetër e bën me sukses, por edhe me pasion eksperimental, pa rënë në grackën e eklektizmit të tepruar stilistik, dëshmon edhe përkushtimi i tij ndaj dramaturgjisë, që dikush prej miqve dhe krijuesve e pat quajtur ‘Shekspiri shqiptar’, përmes dramave: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, Bregu i Pikëllimit, Pranvera e Librave, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Kufiri me atdhe, Mbreti i lirë, Vojceku, Eshtrat që vinë vonë, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?.

Në gjithë këtë opus dramatik, ai kulmin e arriti me ‘Bregu i pikëllimit’, një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, Bregu i Pikëllimit, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave. Përmes Bregut të pikëllimit Teki Dërsvishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte.

Teki Dërvishi erudit e shkrimtar, estet e publicist, eksperimentues e postmodernist, i cili kurrë nuk parapëlqeu t’i takonte shumicës, mbetet pengu më i madh i i një misioni të papërfunduar i botuesve, studiuesve e përgjithësisht lexuesve, sepse njohja më cilësore me këtë shkrimtar tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona dhe kjo uk mund të bëhet pa u botuar e plotë vepra e tij, në poezi, prozë, dramë, ese, kritikë (letrare dhe teatrore), publicistikë, dhe pa u studiuar me themel sistemi estetik e shkrimor i kësaj vepre.

Nëse në Britani ekziston si model katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qetshor 2011.

Qofshin të përjetshëm emri dhe vepra eTeki Dërvishit!

Image

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK