Zërat
Harry Bajraktari
Harry
Bajraktari

Vetëm njerëzit e Kosovës mund të flasin për Kosovën

Zërat November 15, 2019 - 10:15
Ky projekt i “Shengenit ballkanik” do t'ia hapë rrugën ndërhyrjes ruse në Ballkan

Presidenti i Serbisë dhe kryeministrat, ai i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, po lëvizin për t’i bashkuar vendet e tyre në një formë të “Shengenit ballkanik”, i cili imiton zonën e hapur ekonomike pa viza që gëzojnë anëtarët e BE-së.

Iniciativa është përshëndetur me shumë dyshime e kritika në Kosovë dhe drejtuesit e saj kanë refuzuar një ftesë për t'u bashkuar. Për Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë, ky reagim duket si një mister, i cili nuk duhej të ishte.

Projekti ua kujton njerëzve një projekt tjetër të dështuar. Quhej “Jugosllavi” dhe kishte aspirata të mëdha, por ajo u shemb në mes të luftërave të tmerrshme e tragjedive të mëdha. Tani rajoni, si pjesa tjetër e Evropës Lindore ish-komuniste, aspiron të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian jo në një bashkim të ri rajonal.

Një lider politik në Kosovë e ka quajtur projektin e ri: "Një Jugosllavi [e Re], plus Shqipëria, por minus Sllovenia dhe Kroacia". Ky përkufizim e ka shqetësuar Ramën, por kjo tingëllon shumë e vërtetë. Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, dy vende të tjera të ftuara dhe që gjithashtu kanë kaluar përvojën jugosllave, nuk kanë pranuar të marrin pjesë. Ato duan të përballen me Perëndimin dhe të shkojnë drejt BE-së në vend që të kthehen në orbitën e Beogradit.

As Beogradi dhe as Tirana nuk mund të vendosin për Kosovën

Kryeministri Rama pretendon ta ketë Kosovën në zemrën e tij, andaj, pse njerëzit dhe udhëheqësit e Kosovës janë kaq të shqetësuar me të?

Arsyeja kryesore është se Rama në Tiranë, ashtu si Vuçiqi në Beograd, refuzon për ta parë Kosovën si një faktor të pavarur në Ballkan. Udhëheqësi socialist shqiptar bën shpesh supozime të guximshme ose bisedime të lirshme për atë që duhet të bëjë Kosova. Ai është përplasur publikisht në të kaluarën me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe me disa prej drejtuesve të opozitës, të cilët fituan zgjedhjet e fundit, duke përfshirë Albin Kurtin dhe Isa Mustafën. Ai është akuzuar për përkrahjen e idesë për ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën shumë ekspertë e shohin si të rrezikshme për gjithë rajonin dhe një shkelje për integritetin territorial të Kosovës. Nën qeverinë e tij disa barriera tregtare dhe tarifa janë vendosur midis Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti Thaçi ka qenë një nga liderët e paktë në Kosovë, i cili mbajti një marrëdhënie të mirë me Ramën dhe kjo duket se ka përfunduar kur edhe ai hodhi poshtë iniciativën e “Shengenit ballkanik”.

Një model i sjelljes nga Tirana

Për popullin e Kosovës sjellja e Ramës ka ngjallur pakënaqësinë e vjetër për sjelljen e liderëve të mëparshëm në Tiranë dhe në Shqipëri në shekullin e kaluar, kur Kosova shihej si e pavlerë ose u injorua në vendimet e tyre. Më 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj, udhëheqësit e Kosovës ishin pjesë e Deklaratës, por Fuqitë e Mëdha njohën vetëm një shtet shqiptar që la Kosovën dhe më shumë se gjysmën e tokave të banuara me shqiptarë jashtë kufijve të saj. Kosova dhe disa nga këto toka u bënë pjesë e Jugosllavisë, një shtet i mbizotëruar nga serbët, i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Që atëherë Tirana ka negociuar drejtpërdrejt me Beogradin, duke anashkaluar shqetësimet kosovare. Më 1924 Zogu, mbreti i ardhshëm i Shqipërisë, u kthye në pushtet me ndihmën e Beogradit, i cili shqetësohej për praninë e fortë të kosovare në qeverinë e Tiranës. Pas Luftës së Dytë Botërore komunistët në Shqipëri, të udhëhequr nga Enver Hoxha, ranë dakord ta bëjnë Shqipërinë pjesë të Federatës së re të Jugosllavisë. Ata e ndihmuan Beogradin të shtypë rezistencën në Kosovë dhe ta vendosë atë nën sundimin e saj të ri. Përfundimisht, Shqipëria nuk u bë pjesë e Jugosllavisë, por Hoxha vazhdoi ta përdorë Kosovën si një mjet në marrëdhëniet e saj me Beogradin. Në vitet 1990 ndërsa Jugosllavia po kalonte nëpër luftërat e saj vetëshkatërruese, Shqipëria përsëri ishte ngurruese të mbështeste ambicien e Kosovës për t'u shkëputur nga frika se mos i dëmtonte shanset e veta për t'u bërë anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Kryeministri Fatos Nano madje u takua me kriminelin e luftës Sllobodan Milloseviq, ndërsa Kosova po zhytej në luftë, dhe deklaroi publikisht se kryeqyteti i Kosovës ishte Beogradi.

Këto kujtime dhe të tjera i bëjnë njerëzit në Kosovë ta shohin Ramën si një shembull të ri në një model të sjelljes egoiste nga drejtuesit në Tiranë.

Sot kjo është edhe më pak e pranueshme. Kosova tani është një vend i pavarur sovran. Askush tjetër nuk duhet të flasë në emrin e saj. Dhe së dyti, Shqipëria tani është anëtare e NATO-s. Udhëheqësit e saj nuk duhet të kenë frikë të ngrihen në këmbë ndaj Beogradit dhe ndaj fqinjëve të tjerë për propozime që dëmtojnë shqiptarët etnikë ose rajonin.

Serbia nuk pranon ta njohë Kosovën si një vend të pavarur. Atëherë, përse Kosova duhet të bashkohet me një iniciativë tjetër rajonale nëse nuk trajtohet si partner i barabartë?

Kryeministri i Shqipërisë këmbëngul se qëllimi i tij kryesor është të hapë kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që shqiptarët të jenë të lirë të udhëtojnë. Por, pse ai nuk e ka bërë këtë tashmë? Pse Tirana dhe Prishtina duhet të kenë nevojë për një marrëveshje që përfshin Beogradin për ta bërë më të lehtë tregtinë midis tyre?

Kur Kosova është ftuar të bashkohet me këtë Union i kërkohet të heqë tarifën e saj të lartë për mallrat e Serbisë. Kjo masë është marrë në përgjigje të përpjekjes së Serbisë për ta shpërbërë mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën. Vetëm disa ditë më parë një vend tjetër afrikan, Gana, ishte nën presion që ta tërhiqte njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk është një klimë për një bashkim të ri në rajon.

Edi Rama duhet ta shikojë punën e tij

Nëse Shqipëria do të ishte një histori suksesi rajonal, ndoshta arroganca e tij ndaj Kosovës mund të ketë një shpjegim. Sidoqoftë, Shqipëria nuk ka qenë kurrë në një gjendje më të keqe. Ekonomia po dështon, ndërsa borxhet e saj të jashtme janë përshkallëzuar. Vendi është përplot me konflikte socialo-ekonomike. Imazhi i vendit ka vuajtur jashtëzakonisht shumë për shkak të prodhimit spiral të kanabisit dhe të trafikut të paligjshëm. E gjithë opozita është e përjashtuar nga sistemi politik. Një rregull i një partie tani është çimentuar në qeveri, në parlament dhe në administratë lokale. Zgjedhjet e fundit u krahasuan me ato të Enver Hoxhës, me kandidatë nga vetëm një parti politike. Partia Socialiste është me të vërtetë një vazhdim i Partisë së vjetër të Punës me një emër tjetër.

Për krahasim, Kosova sapo mbajti zgjedhjet parlamentare që ishin të lira dhe të ndershme dhe tani po vazhdon me një ndryshim paqësor e demokratik në qeveri. Kosova është pasuria më e madhe për industrinë e turizmit në Shqipëri, megjithatë qindra-mija që udhëtojnë atje çdo verë janë të detyruar të kalojnë orë të tëra në radhë të gjata dhe detyrohen të paguajnë gjoba e taksa, megjithëse janë atje për të sjellë më shumë biznes në Shqipëri.

Edi Rama nuk është në gjendje t’i japë leksion Kosovës për asgjë dhe sinqerisht, ai duhet të marrë parasysh punën e tij. Le t’i rregullojë së pari problemet në Shqipëri, duke përfshirë këtë krizë politike të pashembullt. Ai duhet të turpërohet për kritikimin e Kosovës, ndërsa akomodon planet e interesat e një autokrati siç është Vuçiqi i Serbisë.

BE-ja jashtë, por Rusia brenda

Kundërshtimi i kësaj nisme është i ashpër në gjithë rajonin, sepse shihet si një “Plan B” për integrimin në BE. Rajoni ka tashmë shumë nisma: SEECP, CEFTA, forume rajonale për sigurinë dhe për fusha të tjera të bashkëpunimit, samitet e të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, marrëveshje të shumta bilaterale tregtare dhe mekanizma të tjerë që e kanë bërë më të lehtë për njerëzit, për mallrat dhe për shërbimet për të udhëtuar midis vendeve fqinje. Nuk ka nevojë për një iniciativë të re.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të pakënaqura, sepse Bashkimi Evropian refuzoi përsëri kërkesën e tyre për t’i filluar bisedimet e anëtarësimit, por ato nuk duhet të nxitojnë në reagime të pakujdesshme.

Vetëm disa ditë më parë Serbia nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (EEU). Ky është një bashkim ekonomik i drejtuar nga Rusia, që qëndron si një alternativë për Perëndimin. Rusia tani i ka bërë thirrje Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore që të bashkohen. Edhe nëse nuk anëtarësohen në EEU, ndikimi i Rusisë do të hyjë në vendet e tyre përmes anëtarësimit të Serbisë në EEU dhe në “Shengenin ballkanik”. Ky është saktësisht rreziku për të cilin shumë ekspertë e kanë paralajmëruar BE-në dhe Ballkanin.

Në vend të presionit ndaj Kosovës për t'u bashkuar, Shqipëria duhet të kuptojë pse ky projekt është një ide e keqe. Ajo duhet të mësojë ta trajtojë Kosovën si një partner të barabartë. Vetëm njerëzit e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike mund të flasin për Kosovën. Dhe në këtë rast, ata kanë marrë vendimin e duhur.

Harry Bajraktari është themeluesi dhe botuesi i gazetës “Illyria” (1991 - 1998). Ai është një biznesmen dhe aktivist i mirënjohur shqiptaro-amerikan.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK