Infektuar: 15142
Shëruar: 12674
Vdekur: 615
Zërat
Saimir Lolja
Saimir
Lolja

Antonio Bellushi, ngjitja në majë e një arbëreshi

Zërat July 01, 2020 - 11:04

Arbëreshët e jugut dhe të mesit të Gadishullit Ilirik filluan zhvendosjen në Gadishullin Apenin dhe në Sicili më së shumti në shekujt XV-XVI me qëllim që të shmangnin shfarosjen prej hordhive osmane-tartare (mongole) arabe. Dallohen largimet e mëdha pas rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Koronës në More në vitet 1533-1534. Si e fundit zbritje e madhe arbëreshe qe ajo e vitit 1744 në Villa Badessa afër Peskarës. Fisnikët e tyre arbërore bënë marrëveshje të dokumentuara me principatat vendore në Gadishullin Apenin. Për shembull, një marrëveshje e atillë për qytezën e Frasnitës, ku u lind Antonio Bellushi, daton në vitin 1490. Në Italinë Jugore janë 136.000 arbëreshë në 55 fshatra që akoma flasin Shqip, ndërkohë që 182.000 të tjerë në fshatra të tjerë nuk e flasin shqipen. Shkaku kryesor për këtë gjendje mbetet mungesa e shkollave shqipe. Arbëreshët, veç atyre të ardhur, janë kudo në Itali. Ata kanë lënë gjurmë kudo në historinë e Gadishullit Apenin në çdo fushë të jetës, të kulturës, të fesë, të shtetit e të ushtrisë në të shkuarën e në të sotmen.

Rasti i arbëreshëve në Itali të Jugut, duke përfshirë edhe Siçilinë, që nga ana fetare janë të krishterë ortodoksë, tregon se të parët e tyre që erdhën aty prej jugut të Gadishullit Ilirik 300-600 vjet më parë flitnin e luteshin shqip bashkë me priftërinjtë edhe në kishat e tyre. Domethënë priftërinjtë e tyre edhe kanë lexuar e vazhdojnë ta lexojnë biblën e shkruar në shqip edhe kanë shkruar shqip. Nga shekulli XVII e deri në vitin 1867 ata shtyheshin me dhunë që ta kthenin ritin fetar nga lindor ortodoks në atë katolik, i cili kryhej në italisht. Ata që ndryshuan ritin u tretën në italianë. Ata që u mbajtën fort, pavarësisht dhunës, ruajtën vetëdijen dhe gjuhën shqipe, sepse ata nëpërmjet kishës së tyre lindore ortodokse kanë ruajtur gjuhën shqipe dhe vetëdijen arbëreshe, ngase shkolla shqipe nuk kanë pasur e nuk kanë edhe tani. Eparkia e Ungrës (Dioqeza e Lungros) në Kalabri për arbëreshët e ritit bizantin u themelua vetëm në vitin 1919. Viti 1937 pati themelimin e Eparkisë së Horës së Arbëreshëve (PianadegliAlbanesi, ita.) në Sicili dhe shpalljen si nënpeshkopatë të Abacisë së Shën Mërisë në Grottaferrata afër Romës. Në këto Eparki të krishtera ortodokse me peshkopë arbëreshë dhe pjesë e Papatit katolik të Romës flitet e përdoret gjuha e njësuar shqipe.

Gjuha shqipe filloi të shkruhej për herë të parë tek arbëreshët në vitin 1736, kur u themelua kolegji “Shën Adriani” në San Benedetto Ullano në Kalabri dhe Seminari Arbëresh i Palermos në Sicili. Kolegji “Shën Adriani” botoi tekste, programe e plane shkollore për mësimdhënien e mësimmarrjen e gjuhës shqipe. Në vitet 1898-1919 mbi 100 shqiptarë nga Gadishulli Ilirik morën mësimet në kolegjin “Shën Adriani” dhe më pas lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare e shtetërore shqiptare. I ndrituri Jeronim De Rada qe nxënës dhe më pas dha mësim në atë kolegj. Kurse Luigj Gurakuqi, Zef Serembe, Bernard Bilota, Zef Jubani, Thimi Mitko, Aleksandër Xhuvani e Kostaq Cipo qenë nxënësit dhe bashkëpunëtorët e tij. Gazeta “Flamuri i Arbrit”, që botonte Jeronim De Rada, ishte gazeta e parë periodike shqiptare që bashkoi shkollarët shqiptarë të kohës dhe shpërndahej kudo ku kishte shqiptarë në botë.

Antonio Bellushi u lind në Frasnita (Frashëri) të Kalabrisë më 15 shtator 1934. Shumë prej arbëreshëve të Frasnitës dhe qytezave përqark, Ejanina, Civita etj., janë vendosur aty rreth vitit 1490. Qyteza e Frasnitës ka nxjerrë shkollarë, shkrimtarë e priftërinj që bënë emër. Një nga ata është edhe i diplomuari i Kolegjit të Shën Adrainit në shekullin XIX, i madhi arbëresh Vincenzo Dorsa.

Antonio Bellushi u diplomua për Filozofi e Teologji në Universitetin Gregorian të Romës në vitin 1962. Në ata vite u miqësua me profesor Ernest Koliqin dhe shkroi në revistën e tij “Shejzat”. Në vitet 1962-1965 ai qe prift në qytezën arbëreshe të Shën Sofisë së Epirit, ku të parët arbëreshë patën ardhur nga Epiri në vitin 1472. Në vitet 1965-1973 ai qe prift në qytezën e Shën Konstadinit, ku arbëreshët ishin me origjinë nga Morea. Aty ai botoi revistën “Vatra jonë” në shqip, italisht e anglisht, e cila pasqyronte historitë, zakonet, këngët, veshjet e tyre arbëreshe me origjinë nga Morea.

Në vitet 1973-1979 Antonio Bellushi qe famullitar në qytezën Falconara Albanese. Atje krijoi me të rinjtë një ekip, i cili jepte koncerte në fshatrat arbëreshe përreth. Në vitet 1979-2000 ai qe famullitar për 5000 banorët arbëreshë të qytetit të Kozencës. Atje ai themeloi në vitin 1980 revistën gjashtëmujore “Lidhja”, e cila vazhdoi deri në vitin 2009. Revista “Lidhja” u kthye në një perlë që madhërohej me kohën nëpërmjet shkrimeve të shkollarëve arbëreshë për gjuhën shqipe, kulturën, trashëgiminë dhe historinë e arbëreshëve kudo të ishin.

Prejse nisi të ushtronte detyrën e priftit, Antonio Bellushi filloi të studionte e regjistronte jetën e trashëgiminë arbëreshe, këngët, vallet, veshjet, shprehjet, fjalët e urta, gojëdhënat, përrallat, martesat, ritet fetare, fisnikërinë etj. Ai thesar i grumbulluar më pas filloi të botohej i plotë dhe rregullisht në revistën e tij “Lidhja”, e cila u shkonte arbëreshëve kudo të ndodheshin në botë. Gjurma e tij e ngjitjes lart e më lart është formuar nga 60 vjet punë kombëtare arbërore me një sasi e cilësi të pakryer nga njeri tjetër dhe e bërë drejtpërsëdrejti në terren. Biblioteka e tij tani është një thesar i mbajtur pastër e i radhitur dhe është e hapur për sa më shumë studentë e profesorë shqiptarë nga kudo ku janë. Biblioteka e tij përmban mbi 10.000 botime, që kanë të bëjnë me kulturën, artin, gjuhën e historinë arbërore-shqiptare dhe grumbulluar aty nga të katër anët ku ka arbëreshë-arbanas-arvanitas-shqiptarë. Atë, për shembull, e kanë vizituar shkollarë shqiptarë nga Tirana e Prishtina që nga viti 1977 dhe tani dhjetëra studentë shqiptarë në vit nga Universiteti i Tetovës.

Arbëreshët kanë biblioteka e muze, grupe muzikore e valltare, organizojnë festivale, kanë libra, revista, vjershëtarë, shkollarë dhe faqe interneti në shqip. Në shtëpinë e arbëreshit mendohet, flitet, shkruhet e këndohet vetëm shqip. Arbëreshi këndon këngë popullore me çdo mik që u hyn në shtëpi. Malli për dheun e atit dhe të amës nuk shteron. Ai e ka besën të skalitur në mendje e sjellje. Antonio Bellushi krenohet se gjatë tërë jetës së tij ka ndjekur këshillën e babait Xhovani Bellushi që të ishte një arbëresh i mirë. Ai kujton të ëmën Teresa Policastro Bellushin, që kur vdiq u varros me kostumin arbëresh të martesës.

Në gjurmën që Antonio Bellushi ka skalitur duke u ngjitur lart janë edhe 40 vjet punë kombëtare, që nga viti 1965, me arbërorët-arbanitët-arvanitët e Greqisë. Ai shkonte në katundet arvanitase në gjithë Greqinë dhe merrte pamje, regjistronte të folmet, vjershat, këngët, fjalët e urta, mallkimet, përrallat, zakonet, gojëdhënat, bisedat, në gëzime e zi. Pastaj ato ai i botonte në revistën “Lidhja” dhe ua dërgonte me mijëra kopje në duart e tyre. Arvanitasit i shkruanin letra atij në shqip. Ai i pyeste ata imtësisht, si bie fjala: Si e bëni bukën dhe djathin? Si i thoni kësaj, asaj, atij? Si i punoni vreshtat dhe arën? Si quhen fshatrat, malet e kodrat përqark? Si përshëndeteni? Si uroni, këndoni e për çfarë?

Përgjigjet që mori nga 900 fshatrat e shpërndarë në gjithë Greqinë ishin të njëjta, gjë që domethënë vërtetonte se kultura arbërore-arbanite-arvanite-shqiptare është e njëjtë kudo në Greqi. Se ajo, bashkë me emrat e fshatrave, ishte njëlloj me kulturën shqiptare në trojet e tjera arbërore të Gadishullit Ilirik dhe arbëreshëve në Italinë Jugore e në Sicili. Besa, miku, mikpritja, mirësia “bukë, kripë e zemër” janë të njëjta kudo ku ka arbër. Këtë nuk e mbulon as ndryshimi i 2/3 të emrave të fshatrave arbërorë në Greqi në emra joarbërorë dhe as dhuna policore e psikologjike e shtetit dhe kishës greke kundër vetëdijes e kujtesës kombëtare arbërore-arvanitase.

Antonio Bellushi, Aristidh Kola e shkollarë të tjerë arvanitas u bënë si vëllezër me bashkëpunimin midis tyre. Arvanitasit dhe arbëreshët e jugut të Italisë kanë të njëjtën mënyrë të folmes së shqipes. Një nga botimet e Antonio Bellushit është edhe libri “Arbërorët-arvanitë, një popull i padukshëm” posaçërisht për ta. Arvanitasit nuk mund të jenë pakicë në Greqi, sepse ata janë vendas dhe pasardhës të arbërve të lashtë, edhe të Athinës ose të Spartës së hershme. Shpjegimi i hyjnive në përrallat “greke” bëhet vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe, ndërkohë që faltoret më të vjetra të Zeusit gjendeshin në rajonin e Pirit. Një shembull domethënës është qyteza emërmadhe e Maratonës në lindje të Athinës. Afër saj është një varrezë përmendore me emrat e 192 arbërve të lashtë të rënë në betejën kundër persëve në vitin 490 p.e.s. Një nga ata emra ka mbiemrin Bellushi.

Antonio Bellushi krijoi bashkëpunim me arbëreshët kudo ku ndodhen në botë, qoftë në Argjentinë, Ukrainë, Bullgari, Kroaci, SHBA, Brazil, Uruguai, Australi, Rumani, Zvicër, Gjermani ose Turqi. Ai qe i pranishëm në shtëpitë e tubimet shqiptare në Uindsor e Toronto të Kanadasë, në Detroit, Çikago, Boston, Filadelfia e Nju-Jork të SHBA-së. Ai qe pjesë e lëvizjes së madhe kombëtare botërore për largimin e pushtuesve serbë nga Dardania (Kosova, serb.) në fund të shekullit XX. Ai bashkëpunoi shumë me Jozefe Shirley Cloyes Dioguardin, Lidhjen Qytetare Shqiptare-Amerikane dhe veprimtarët e ndryshëm kombëtarë në SHBA, Evropë, Australi, si dhe me udhëheqësit nga Prishtina.

Në Dardani ai qe për herë të parë në vitin 1970 kur mori pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare, i organizuar në Prishtinë. Në vitin 2003 ai bashkë me Robert Elsin vizituan varrezat e dëshmorëve në Prekaz të Drenicës. Vizita e tij më e fundit në Dardani ishte në shtator 2018. Vizita e tij e parë në Tiranë qe në shtator 1972, i ftuar nga Akademia e Shkencave për të marrë pjesë në Kuvendin Kulturor Ilir. Vizitën e dytë e kreu në nëntor 1992 dhe në vitet 1993-2018 ka shkuar pothuaj çdo vit në Shqipëri. Tanimë edhe si qytetar shqiptar ai mori pjesë në votimet e vitit 2015.

Ndriçimi e përparimi i shqiptarëve të kudondodhur u erdhi e u vjen nga rrënjët arbëreshe, si para 200 vjetësh, ashtu edhe tani. Arbëreshët kanë nevojë për shkolla në gjuhën shqipe ku mësimi në shqip të jetë i detyrueshëm me ligj për të gjitha vitet e lëndët mësimore. Është përgjegjësia e qeverisë shqiptare që në marrëveshje me Italinë, e cila e njeh me Kushtetutë bashkësinë kombëtare arbëreshe, të organizohen për hapjen e mbajtjen shkollave shqipe dhe dërgimin aty të mësuesve shqiptarë. Në paralel është përgjegjësia e qeverisë shqiptare që të kërkojë ndihmën që do t’i jepet për këtë gjë edhe nga Vatikani, sepse kishat ortodokse arbëreshe ku flitet e meshohet në shqip janë pjesë e tij.

Përkujdesje për rrënjët arbëreshe domethënë pyll me lisa arbërorë të shëndetshëm kudo, sepse shpirti i Arbrit rron përjetë. Zëri i arbrit dëgjohet pa ndalim, sepse kumbimi i tij nuk shuhet. Një rrënjë domethënë një gjak, i cili domethënë një komb, një gjuhë, një besë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK