Zërat
Arianit Bytyçi
Arianit
Bytyçi

Për një konkurs ndërkombëtar të arkitekturës për memorialin e sakrificës së fëmijëve të Kosovës

Zërat July 29, 2020 - 11:10

Institucionet e Kosovës me gjithë qindra e mijëra dëshmi të argumentuara për masakrat, për mbijetesën dhe sakrificën e popullit të Kosovës, edhe njëzet e një vite pas përfundimit të luftës çlirimtare nuk kanë arritur që në mënyrë të dinjitetshme të dokumentojnë luftën për liri dhe pavarësi. Ky dokumentim përveç tjerash mund të arrihet të bëhet edhe përmes arkitekturës publike.

Me gjithë disa tentativa për përfshirjen e disa eksponateve të luftës çlirimtare në Muzeun e Kosovës, institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur të ndërtojnë Muzeun e Luftës së UÇK-së dhe as nuk kanë ndërtuar Monumentin e Lirisë e të Pavarësisë në sheshin kryesor të kryeqytetit.

Në kuadër të nismave pozitive private, është për t'u vlerësuar ideja e gazetarit të luftës, veprimtarit Nusret Pllana për ndërtimin e një memoriali për 1370 fëmijët e vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri më 1999. Është me rëndësi të përmendet fakti se z.Pllana është angazhuar shumë edhe përmes botimit të librave të dëshmive për masakrat serbe në Kosovë, të cilat i ka prezantuar edhe para kancelarive të qeverive të shteteve perëndimore. Si shoqëri dhe si shtet gjithmonë duhet të jemi mirënjohës për punën dhe angazhimin e veprimtarëve që prezantojnë luftën dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.

PËR NJË DETYRË PROJEKTUESE PËRMBAJTËSORE, ME QËLLIME, OBJEKTIVA DHE VIZION TË ARKITEKTURËS BASHKËKOHORE

Me gjithë respektin dhe vlerësimin për veprimtarinë e z.Pllana, nga aspekti arkitektonik kam bindjen se është e gabuar dhe përjashtuese për komunitetin e arkitektëve qasja e përzgjedhjes pa konkurs arkitekture e projektit të memorialit të prezantuar, e që thuhet se është hartuar nga disenjatorigrafik, miku im Rrezeart Galica dhe nga znj.Luana Mahmutaj.

Duke u bazuar në praktikat më të mira të shteteve të civilizuara, idetë për realizim të veprave aq të rëndësishme arkitektonike siç janë memorialet, obelisku apo edhe muzetë trajtohen përmes konkurseve vendore dhe ndërkombëtare të arkitekturës. Në këtë mënyrë, jam i bindur se duhet të trajtohet edhe ideja e z.Pllana për ndërtimin e memorialit për fëmijët e vrarë të Kosovës nga forcat pushtuese serbe.

Metodologjia e shpalljes së konkurseve të arkitekturës për ndërtimin e memorialeve siç është e njohur botërisht fillon me përgatitjen e një detyre projektuese përmbajtësore, ku përveç tjerash duhet të përfshihen edhe qëllimet, objektivat dhe vizioni që duhet të arrihet përmes realizimit të projektit të memorialit, në këtë rast të memorialit të sakrificës për liri të fëmijëve të Kosovës. Në rastin e memorialit të sakrificës së fëmijëve të Kosovës, objektiv e vizion kryesor i detyrës projektuese mund të ishte ky: "Përmes arkitekturës bashkëkohore të kualitetit të lartë, memoriali duhet të arrijë të prezantojë denjësisht në nivelin ndërkombëtar sakrificën e 1370 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri më 1999". Përveç kësaj do të duhej të analizoheshin lokacioni i duhur urbanistik, përmbajtjet hapësinore dhe çështje tjera me rëndësi për të arritur qëllimet, objektivat dhe vizionin e projektit.

Prandaj, qasja më korrekte institucionale për zhvillimin e mëtejmë dhe çuarjen përpara të iniciativës së memorialit të fëmijëve do të ishte përgatitja e një detyre projektuese të hartuar mirë, ku për arsye të mirënjohjes institucionale për iniciativën e ndërmarrë, do të duhej ishin pjesë e procesit edhe iniciatorët e ndërtimit të këtij memoriali, z.Nusret Pllana, z.Rrezeart Galica dhe znj.Luana Mahmutaj, por mbi të gjitha do të duhej të ishin pjesë edhe arkitektë vendorë e ndërkombëtarë të njohur për realizim projektesh të memorialeve të natyrës së njejtë. Bazuar në këtë detyrë projektuese, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe me institucionet tjera relevante mund ta shpallnin konkursin ndërkombëtar të arkitekturës për hartimin e projektit për ndërtimin e memorialit të sakrificës së fëmijëve të Kosovës.

PËR NJË JURI VLERËSUESE ME KREDIBILITET VENDOR DHE NDËRKOMBËTAR

Në këtë rrugëtim të shpalljes së konkursit, duhet pasur kujdes që caktimi i jurisë vlerësuese të projekteve konkurruese të bëhet në mënyrë transparente, në atë mënyrë që profesionistët që e kanë hartuar detyrën projektuese të mos jenë anëtarë jurie, pasi kjo paraqet konflikt të hapur interesi. Juria duhet të bëhet publike dhe po ashtu të jetë e përbërë nga emra të mirënjohur vendorë e ndërkombëtarë të arkitekturës publike, të arkitekturës së memorialeve të luftës.

Vetëm kjo qasje e mirënjohur ndërkombëtarisht e shpalljes së konkursit ndërkombëtar të arkitekturës do ta promovonte ndërkombëtarisht në mënyrë të dinjitetshme idenë e memorialit të sakrificës së fëmijëve të Kosovës. Shpallja në mediat botërore e konkursit ndërkombëtar bazuar në detyrë projektuese të hartuar mirë, në këtë periudhë sfiduese për Kosovës, në kohën kur po tentohet të gjykohet ndërkombëtarisht lufta jonë çlirimtare, do tê rikthente kujtesën dhe fokusin e opinionit ndërkombëtar në sakrificën e madhe të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Kjo qasje do te sillte në Kosovë studiot më prestigjioze botërore të arkitekturës, do të inkurajonte përmes konkurrencës ndërkombëtare kualitetin e projektimit arkitektonik të studiove kosovare të arkitektures, dhe mbi të gjitha do ta vendoste në fokus të arkitekturës botërore vendin tonë, Kosovën tonë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme: duhet të përzgjidhet në mënyrë meritore projekti më i mirë i arkitekturës bashkëkohore i memorialit të fëmijëve të Kosovës. Nuk duhet lejuar që me nguti, me qasje joarkitektonike të komprometohet një ide kaq e madhe, siç është ideja e ndërtimit të një memoriali aq të rëndësishëm për dokumentimin e sakrificave për liri të popullit të Kosovës.

E kam thënë shpesh herë publikisht: në projekte kapitale duhet të vërehet dora mbështetëse, por mbi të gjitha dora orientuese e shtetit të Kosovës. Është rasti ideal që dora e shtetit të Kosovës të shihet në ndërtimin e një memoriali aq domethënës të sakrificës së fëmijëve të Kosovës, e që do të ishte edhe identitet arkitektonik bashkëkohor, pra vepër e mirëfilltë e arkitekturës publike të Kosovës. Ndryshe, çdo qasje tjetër joarkitektonike, nuk do të arrinte efektin e synuar ndërkombëtarisht, dhe në aspektin e idesë nuk do të arrinte t'i tejkalonte kufijtë e komunës në territorin e së cilës synohet të ndërtohet ky memorial !

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK