Infektuar: 15142
Shëruar: 12674
Vdekur: 615
Zërat
Muhamet Bytyçi
Muhamet
Bytyçi

Një pasqyrë për ta parë racizmin institucional të Komunës së Mitrovicës

Zërat August 05, 2020 - 11:14

Vendimi për të ndërtuar një përkujtimore për martirët e masakrës së tregut të gjelbër në Mitrovicë, të masakruar më 13 mars 1999, është vendim i drejtë. Duhet kujtuar sa më shumë masakrat e kryera nga makineria e shtetit të Serbisë. Duhet sa më shumë të dokumentohet mizoria e organizuar, që kishte qëllim zhdukjen e tjerëve dhe dominimin e një etnie. Gjithçka është në rregull deri te shfaqja e racizmit të qeverisjes lokale, e udhëhequr nga Agim Bahtiri.

Racizëm do të thotë besimi se shkaqe si raca, ngjyra, gjuha, besimi fetar, shtetësia ose origjina etnike ose kombëtare justifikojnë përbuzjen për një person ose grup personash, ose nocionin e superioritetit të një personi ose një grupi personash.

Vendimi i Komunës së Mitrovicës për përjashtimin nga pllaka përkujtuese të një fëmije rom të masakruar bashkë me shqiptarët në ata masakër i ka këto elemente dhe kjo do të duhej ta bënte të ndihet e turpëruar udhëheqjen komunale.

Elizabeta Hasani, vajza rome pesëvjeçare, e cila ishte vrarë nga forcat serbe bashkë me 6 shqiptarë të tjerë në masakrën e Tregut të Gjelbër, më 13 mars 1999, do të duhej të ishte pjesë e asaj pllake, që është një dëshmi në sytë e gjithsecilit se Serbia ka kryer shumë krime. Se Serbia ka masakruar edhe fëmijë.

Vendosja e të gjithë emrave në pllakën e përkujtimit do të tregonte se liria e Kosovës u përket të gjithëve. Se drejtësi duhet të ketë për të gjithë e edhe për Elizabetën e pafajshme që u masakrua nga politika raciste e ekspansioniste e Serbisë. Krimet e Serbisë nuk kanë qenë vetëm ndaj një etnie.

Si shoqëri duhet të jemi të vetëdijshëm që vetëm ligjet nuk janë të mjaftueshme për të çrrënjosur racizmin dhe diskriminimin racor, prandaj duhet të punojmë më shumë me veten dhe ajo që dikur bëhej ndaj nesh nuk duhet bërë tjetrit në asnjë rrethanë.

Duhet të reagojmë fuqishëm për gjithsecilin rast që ka motive etnike e raciste, që e përjashton e diskriminon tjetrin. Duhet të rrisim vlerat demokratike, në të kundërtën do jemi armiq të vetvetes.

Në krejt këtë histori, e cila shpërfaqi hapur diskriminimin, ajo që më ka çuditur është heshtja, heshtja e shumë njerëzve që thirren në standarde demokratike e morale.

Ata që reagojnë për gjithçka, por jo kësaj radhe, jo. Pse? Ndoshta një fëmijë rom nuk të sjell vota e as simpati te shumica, apo dëshirojmë të fajësojmë Elizabetën pse disa romë bashkëpunuan me armikun?

Apo ndoshta gabimi është nga të tanët? Dhe kur gabojnë të tanët heshtim!

Romët kanë qenë dhe janë komuniteti më i diskriminuar në Kosovë. Gjenerata të tëra jemi rritur duke i diskriminuar, ata janë pa shkollim të mjaftueshëm, të varfër, pa profesione e me kushte te rënda banimi.

Asnjë përpjekje për integrim të tyre ose për ndihmë nuk merret seriozisht e me përkushtim.

Thjesht ata janë me vetëdije e pa vetëdije adresa e shtypjes për shumicën, jo vetëm në Kosovë fatkeqësisht, por edhe në vendet e tjera.

Rasti me pllakën në Mitrovicë është shembull se nuk mjaftojnë konventat ndërkombëtare e ligjet vendore për t’u përfshirë ata. Duhet guxim, vullnet dhe përkushtim për drejtësi në shoqëri.

Përjashtimi i Elizabetës, që padrejtësisht nuk jeton më, është edhe një akt i turpshëm, i cili na rëndon mbi supet e shoqërisë, që për çdo ditë po i humb vlerat e saj.

Komuna bëri një shkelje të rëndë. Përpjekjet e nënkryetarit Faruk Mujka e të kryetarit Agim Bahtiri për të gjetur arsyetime tregojnë naivitet e ligësi të madhe.

Komuna duhet me urgjencë të shtojë emrin e Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore, të kërkojë falje për përsëritjen e gabimit dhe të ketë një qasje tjetër.

Komuna duhet të krijojë një vend në pllakën përkujtimore për Elizabetën derisa duhet të blejë një pasqyrë të madhe për kryetarin, nënkryetarin dhe bashkëpunëtorët e tyre që të shohin veten në atë pasqyrë.

Mitrovica dhe Kosova u përket të gjithëve!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK