Zërat
Liridon Llozani
Liridon
Llozani

Shansi i humbur i Qëndron Kastratit për (ri)organizim të arsimit

Zërat September 05, 2020 - 14:32

Riorganizimi i arsimit në Kamenicë është një mundësi e humbur ose thënë ndryshe e keqmenaxhuar nga kryetari Qëndron Kastrati. Unë nuk di as nuk dua ta di çka flitet rreth interesave se pse ky proces është zhvilluar kështu. Unë po flas si qytetar i kësaj komune nga ajo çfarë kam parë e nxjerrë si përfundim nga gjithë këto zhvillime.

Së pari Kastrati kur ka ardhur në pushtet në vitin 2017 në asnjërin nga premtimet për arsim në Kamenicë nuk ka pasur “riorganizimin”. Kanë qenë shujtat falas për fëmijë, kënde për lexim, zgjedhja e drejtorëve të shkollave me pjesëmarrje dhe diskutim në komunitet, programi për bursa e disa premtime të tjera.

Te viti 2018 është hedhur në opinion ideja e riorganizimit të shkollave në Kamenicë. Pastaj më 30 gusht 2019 Kastrati ka nxjerrë vendimin, sipas të cilit riorganizohet arsimi në nivelin parashkollor dhe arsimi fillor nga klasa 1-5.

Në shkollën e fshatit Busavatë, që është 7 kilometra nga qendra e qytetit e 6 nga shtëpia ime, janë më shumë se 100 nxënës. Me vendim të Kastratit të gjithë këta nxënës duhet të udhëtojnë për në Kamenicë, në shkollën “Fan. S. Noli”.

Përpos numrit të madh të nxënësve, në Busavatë është në përfundim edhe objekti i ri me të gjitha kushtet për mësim, me fushë sportive, me të gjitha. Ky fshat ka organizuar protesta para Ministrisë së Arsimit, si dhe nuk i kanë dërguar fëmijët në shkollën në Kamenicë.

Për këtë flitet edhe në raportin me rekomandime kundër Komunës së Kamenicës në lidhje me riorganizimin e arsimit parauniversitar në komunën e Kamenicës, i publikuar nga Avokati i Popullit më 21.08.2020, ku thuhet se janë gjetur disa shkelje dhe kërkohet rishikimi i këtij vendimi.

Në pikën 10 të raportit kërkohet që shkolla “Hasan Prishtina” në fshatin Busavatë të mos mbyllet, duke marrë parasysh numrin e mbi 100 nxënësve, si dhe objektin e ri në të cilën ka investuar MASH-i.

Ndërsa në një pikë më poshtë raporti pohon se shkollat në fshatin Strezovc dhe Krilevë, që bashkë kanë 100 nxënës, duhet të fuzionohen në një shkollë të përbashkët për shkak të distancës së vogël gjeografike.

Mirëpo jo siç ka kërkuar Kastrati, që këto dy shkolla të mbyllen e këta nxënës të vijojnë mësimin në Kamenicë, konkretisht në shkollën “Fan S. Noli”.

Në këtë raport Kastrati akuzohet edhe për trajtim diskriminues ndaj nxënësve të këtyre fshatrave, pasi nuk u janë shpërndarë librat për mësim.

“Fakti se nxënësve të shkollave në fshatin Krilevë dhe Strezoc nuk u janë shpërndarë tekstet shkollore po ashtu është në kundërshtim me dispozitat ligjore, të gjithë nxënësit e shkollave të tjera janë pajisur me tekste shkollore, prandaj trajtimi ndryshe i nxënësve të këtyre shkollave është trajtim i pabarabartë dhe është diskriminues”, thuhet në raport.

Shto këtyre faktin se edhe unë kam qenë nxënës fillorist në shkollën “Fan S. Noli”, e cila është në kushte të tmerrshme, duke filluar nga tualetet, klasat, sallat sportive, kabinetet, pastërtia, siguria nga disa lëndë që konsiderohen kancerogjene, me përbërje azbesti. Kjo shkollë nuk e di në cilin vit është ndërtuar, por e di që babai, hallat dhe xhaxhallarët e mi, të gjithë kanë përfunduar shkollimin në atë objekt.

Ndërkohë edhe për vendimin e të ashtuquajturit “riorganizim” në dy shkolla të fshatit Koretin dhe Topanicë, në raportin e Avokatit të Popullit thuhet se kjo është bërë në kundërshtim të standardeve të përcaktuar nga MASH-i.

Vendimet e Kastratit, përpos nga ana praktike, janë vënë në dyshim edhe për nga ana ligjore. Edhe pika 27 e raportit të Avokatit të Popullit thotë se në vendimet e kryetarit Qëndron Kastrati “gati të gjitha dispozitat e cituara përcaktojnë vetëm përgjegjësi të përgjithshme të kryetarit, pa i dhënë ndonjë autorizim specifik lidhur me organizimin e arsimit parauniversitar”.

Ndërsa pika 34 e këtij raporti thotë se “Vendimet e nxjerra nga MASH-i për themelimin e shkollave, derisa të jenë në fuqi, duhet të respektohen nga komuna, ato nuk mund të anulohen e as shfuqizohen nga Komuna”.

Institucioni i Avokatit të Popullit për Komunën e Kamenicës rekomandon që vendimi të rishqyrtohet dhe të bëhet në bashkëpunim me MASHT-in, tekstet shkollore të shpërndahen për të gjithë nxënësit pa diskriminim, teksa Ministrisë së Arsimit i rekomandohet që të nxjerrë udhëzim administrativ, përmes të cilit do të vendosë standarde ligjore në përputhje me situatën e krijuar me zvogëlimin e numrit të nxënësve në të gjitha komunat e Kosovës. Po ashtu të sigurohet që nxënësit e komuniteti rom të vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, gjuhë për të cilën janë përcaktuar sipas vullnetit të tyre.

Më shumë nga këto shkolla e ka pësuar shkolla e fshatit Busavatë, ku nxënësit ende nuk e kanë përfunduar vitin shkollor 2019-2020. Ata pritet që t’i nënshtrohen provimit klasor për të mbyllur vitin shkollor. Fatkeqësisht nga shtatori i kaluar këta fëmijë thuajse nuk kanë zhvilluar normalisht mësimin dhe kjo nënkupton edhe rezultate të këqija e ngecje për ta.

Unë pajtohem me idenë e “riorganizimit” të shkollave në fshatrat ku janë nga 5 e 10 nxënës, por jo nën petkun e saj të mbyllen shkolla me nga 100 e më shumë nxënës e kjo të kontrabandohet në publik se “ja po i mbyllin disa shkolla atje në fshatra me nga 3-4 nxënës”. Kjo nuk është e vërtetë dhe si e tillë për bindjen time ka dështuar.

Reforma në Kamenicë duhet të bëhet me diskutim të hapur me banorët, me pëlqimin e miratimin e tyre, gjithnjë në shërbim të së mirës së përgjithshme. E jo siç ka ndodhur me kërcënime se do të ngrihet padi ndaj tyre nëse i ndalin fëmijët nga shkollat, me tërheqje të stafit nga shkollat (mësimdhënësit e staf teknik) e mosdërgim i librave për fëmijët siç ceket në raportin e Avokatit të Popullit.

Unë pajtohem me “riorganizim”, por nën organizimin e jo e kundërta. E gjithë energjia që është shpenzuar nga Kastrati dhe qytetarët duke e kundërshtuar atë po të shpenzohej në mënyrë racionale e gjithë kjo do të zgjidhej dhe nuk do të pësonin fëmijët.

Pas gjithë kësaj Kastrati nuk ka dhënë ndonjë zotim se do të ndalen përpjekjet për “riorganizim”. Shpresoj që është lodhur nga beteja me qytetarët në krah të të cilëve do të duhej të ishte vet ai, e jo e kundërta.

Autori është gazetar në gazetën "Zëri"

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK