Zërat
Hisen Berisha
Hisen
Berisha

Takimi Trump – Zelensky: midis garancive të sigurisë dhe dilemës së paqes

Zërat August 19, 2025 - 15:15

Takimi i presidentit amerikan Donald Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në SHBA shënon një moment të rëndësishëm në trajektoren e luftës në Ukrainë dhe në qasjen e Perëndimit ndaj kësaj krize të zgjatur.

Në thelb, ky takim synonte të qartësonte dy gjëra: vizionin e Trumpit për paqen dhe pritjet e Kievit për garanci të pakthyeshme sigurie.

Shtetet e Bashkuara janë potencialisht të përgatitura të japin garanci sigurie sipas një formule që kodifikohet me Nenin 5 të NATO-s, por që nuk është pjesë direkte e Aleancës, garantuar drejtpërdrejt nga Uashingtoni dhe disa vende evropiane.

Ky është një sinjal i fortë se Trumpi dëshiron të shmangë hyrjen e NATO-s në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, por megjithatë të krijojë një mekanizëm të ri mbrojtës për Ukrainën.

Nga ana e tij, Zelensky nga “kompleksi i inferioritetit” personal, përkatësisht “nga ndjenja e inferioritetit gjeopolitik” si shtet, ka kërkuar më shumë se një zotim verbal: garanci të qarta për integritetin territorial, për sovranitetin e vendit dhe për vazhdimësinë e ndihmës ushtarake e financiare. Për Kievin, çdo paqe që arrihet nuk duhet të jetë në kurriz të territorit apo pavarësisë së Ukrainës.

Aleatët evropianë dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksuan rëndësinë e unitetit perëndimor dhe nevojën për të mbështetur Ukrainën deri në fitore. Megjithatë, disa kryeqytete evropiane lindore, janë skeptike ndaj ideve të Trump-it për një marrëveshje të shpejtë, duke pasur frikë se ajo mund të nënkuptojë presion mbi Kievin për të pranuar kushte të papërshtatshme.

Nga ana e kundërt, Kremlini e lexon këtë lëvizje si shenjë lodhjeje të Perëndimit dhe tenton ta paraqesë ofertën e garancive amerikane si dëshmi se SHBA-në nuk janë të gatshme të përballen drejtpërdrejt me Rusinë përmes NATO-s.

Por, praktika e ndërhyrjes së aleatëve perëndimor në krye me SHBA (model që u testua edhe në rastin e Kosovës - kundër Jugosllavisë - kur ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA-ja ma bazë ligjore nga Neni 5 i NATO) duhet t’u shërbej si “mësim i nxjerrë” - Rusisë dhe aleatëve të saj.

Putini e përshëndeti çdo gatishmëri për negociata, nëse ato zhvillohen mbi baza që i japin avantazh Moskës. Por edhe zgjatja e pafund e luftës po e rrënon nga themelet ekonomikisht Rusinë dhe do ta detyroj të nënshtrohet nën presionin ekonomik, politik dhe ushtarak të aleatëve perëndimor. Shumë shpejt Rusia do përballet me krizën sociale që do t’i zbehë ambiciet etatiste të Putin.

Në këtë pritje e asociojnë edhe luftërat secesioniste të vendeve të ish bllokut lindor në BRSS - periudhë që e ktheu Rusinë në vendin me krizën më të rëndë sociale në kontinent sa që në vitin 1999 - ushtarët rus në postblloqe lypnin nëpër rrugët e Kosovës.

Kurse Putin, “perandorinë” arriti ta rindërtojë - vetëm me dominimin e antivlerave globaliste në Evropë dhe SHBA.

Në këtë kuadër, takimi Trump – Zelensky nuk ishte vetëm një shkëmbim protokollesh, por një test i madh politik.

Trump kërkon të projektojë vizionin e tij për shmangien e “luftrave të pafundme” dhe për ndërtimin e një arkitekture alternative sigurie, ndërsa Zelensky përpiqet të sigurojë që ky vizion të mos përkthehet në lëshime që cënojnë shtetin e tij. Aleatët evropianë shihen si faktor kyç për të balancuar këto dy qasje, ndërsa Putini mbetet spektatori i interesuar që pret përçarjen e Perëndimit.

Prandaj Zelensky dhe aleatët perëndimorë duhet ti adaptohen me veprimin e konceptin e strategjisë alternative të sigurisë për Ukrainën që po ofron Doktrina Trump.

E ky takim nuk i mbylli dilemat, por i bëri edhe më të qarta linjat e përplasjes politike: mes vizionit amerikan për një zgjidhje të shpejtë dhe insistimit ukrainas për një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Pra, ky takim e ka zhvendosur fokusin nga pyetja nëse do të ketë paqe , tek pyetja se çfarë paqeje do të pranojnë palët.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK