Letër e hapur për Kryetarin e PDK-së Bedri Hamza
I nderuar z. Kryetar Bedri Hamza, po ju drejtohem me këtë letër të hapur, sikurse iu jam drejtuar në Opinionin tim edhe Lumir Abdixhikut, të botuar në portalin ATV, më 15 korrik 2025, dhe në gazetën Bota Sot më 17 korrik 2025, në kohën kur ai refuzonte të pranonte ftesën për bisedime për pjesëmarrje në qeveri, në zgjedhjet pararaprake.
Kjo për arsye se atëherë ishte LDK ajo që kishte rolin e “king makerit” ose siç e shqipërova unë LDK - Dora që tund djepin. Ai atëherë, në zgjedhjet e sërishme, e pagoi dënimin më të madh nga ana e elektoratit, por nuk mbeti pa u dënuar as Nisma, për shkak të pretendimeve joproporcionale me peshën politike që kishte.
Kjo për arsye se te këta të dy mbizotroi egoja dhe inati, dhe siç e ka thënë, njëri nga themeluesit më të spikatur të Shteteve të Bashkuara, Benjamin Franklin, “Çfarëdo që fillon me inat, përfundon me turp.” Konsideroj se atëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës u bënë gazi i botës, duke pranuar një kohë të gjatë paga pa i merituar me punë efektive.
Tash rolin e njëjtë të “king makerit”, për zgjedhjen e Kryetarit të Republikës së Kosovës, sikurse Partia e LSI-së e Ilir Metës dikur në Shqipëri, e kanë deputetët e PDK-së. Jam i bindur se ju i nderuari Kryetar, që njiheni për maturi, urtësi dhe mençuri, do të vendosni interesin shtetëror para atij partiak, dhe nuk do të lejoni që ky gabim të përsëritet.
Pra, për të mos ndodhur kjo, mendoj se nuk duhet kurrsesi të refuzoni të merrni pjesë në bisedime konstruktive me Kryetarin e LVV-së, bile edhe në këtë interval kohor deri sa pritet Akgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo duhet bërë për të kompensuar kohën e humbur pas konstituimit të Kuvendit, që me fajin e liderit të LVV-së, nuk pati bisedime të mundëshme paralele për zgjedhjen e presidentit, deri sa zhvilloheshin seanca të Kuvendit për detyrimet që i përfunduat suksesshëm me sjelljen dhe veprimet e një opozite konstruktive.
Dihet se fillimi i mbarë, me ç’rast vendosen parimet bazë për arritjen e qëllimit në bisedime, garanton edhe suksesin për zgjedhjen e presidentit.
Nëse nuk iu përmbaheni parimeve të tilla në bisedimet e mëtejshme që duhet të vazhdojnë, më shpresë se Gjykata Kushtetuese do të lejojë kohë shtesë për zgjedhjen e një presidenti mbipartiak, që pëfaqëson unitetin e popullit dhe është konsensual, pra i pa imponuar nga njëri-tjetri, mendoj se do të konsiderohej gabim i pafalshëm nga ana e elektoratit, por edhe nga faktori ndërkombëtar, sepse do të pësëritej gabimi i njëjtë që do të përfundonte me zgjedhje të sërishme. Dhe këto zgjedhje përsëri, me gjasa të mëdha, nuk është se do të ndryshonin dukshëm situatën, dhe nuk do të shmangnin sjelljen në rreth.
Republika e Kosovës, e cila nuk e ka rrumbullakuar pavarsinë e saj, për dallim nga disa shtete ku hasen situata të tilla të pësëritjes së zgjedhjeve, nuk e ka luksin e tillë, prandaj tash është rasti që të përfundohet me një sjellje të tillë të papërgjegjshme. Sjellja e tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovë, mendoj se nuk mund të arsyetohet ndryshe, përveç se me deficit patriotizmi të deputetëve, si pëfaqësues të zgjedhur nga popullit.
LVV-ja nuk pati sukses në tentim për të gjetur një kandidat konsensual, dhe pasi vetëm me numrin e deputetëve të PDK-së në Kuvend mund të sigurohen 80 e më tepër votat e nevojshme të deputetëve për zgjedhjen e presidentit, ju takon këtyre deputetëve të propozojnë dy, tri apo më tepër kandidatë me emra konkret, prej të cilëve njëri do të mund të ishte i pranueshëm ose konsensual, dhe do të zgjidhej President i Republikës së Kosovës.
Mendoj se kjo nuk është e pamundur, kur dihet se në një sistem parlamentar roli i presidentit është garantues, përfaqësues dhe kontrollues, me kompetenca plotësisht të përcaktuara në 30 pika të nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Çdo shmangie nga këto kompetenca, lehtësisht do të mund të konsiderohej shkelje e rëndë nga Gjykata Kushtetuese dhe, për dallim nga Kryeministri, pason shkarkimi i tij, siç edhe ka ndodhur në rastin e Fatmir Sejdiut dhe të Behgjet Pacollit.
Ju deputetë të PDK-së, dihet se nuk e keni të drejtën ekskluzive, siç ishte rasti me kandidatin për Kryetar të Kuvendit, në ç’rast nga LVV-ja shfrytëzohej precedenti, siç shfrytëzohej edhe nga partitë e tjera në situata të njëjta. Ky precedent i Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se ka qenë i gabuar, kur të merret parasysh Mendimi mospajtues i gjyqtarit të jashtëm të Gjykatës Kushtetuese Carolan, i mbivotuar nga gjyqtarët e tjerë.
Arsyetimi për këtë është përmendur në Opinionin tim të botuar në Bota Sot të 9 korrikut 2025, në lidhje me Aktgjykimin nga viti 2014, për rastin e paraqitur nga deputeti Xhavit Haliti dhe deputetë të tjerë.
Nga kjo situatë që ndodheni ju deputetë të PDK-së do të mund të siguronit mbështetje, në një votim të fshehtë, për zgjedhjen e kandidatit konsensusal të propozuar nga ju, duke mos këkuar mbështetje blanko, sepse, si e tillë e verbër, nuk ushqehet me drejtësi.
Vetëm ajo që buron nga zemra e pastër dhe nga ndjenja e drejtësisë sjellë marrëveshje në mirëbesim por edhe të qëndrueshme. Një këmbëngulje për mbështetje blanko do të përceptohej si mungesë vullneti politik për të zgjedhur presidentin, me synim që të shkohet në zgjedhje të sërishme.
Me një qëndrim të tillë PDK-ja me gjasa të mëdha mendoj se do të mbetej fajtori kryesor, siç ndodhi me LDK-në, në rastin paraprak të moskonstituimit të Kuvendit.
Me respekt, Prof. dr. Rexhep Hasani
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK