Zërat
Prof. dr. Rexhep Hasani
Prof.
dr.
Rexhep
Hasani

Fajtori do të ndëshkohet

Zërat March 26, 2026 - 20:07

 Me Aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese është fituat koha shtesë prej 34 ditësh, e cila duhet shfrytëzuar për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Kosovës.

Në të kundërtën, fajtori apo fajtorët për dështimin eventual të zgjedhjes së Presidentit mendoj se do të ndëshkohen keqas, duke marrë dënimin e merituar nga votuesit në zgjedhje eventuale të sërishme. Kjo për arsye se mbizotëron një bindje e pëgjithshme se përsëritja e zgjedhjet nuk është e justifikueshme.

Në rrethanat e krijuara liderët e partive që vendosin interesin partiak para atij shtetëror dhe të cilët nuk tregojnë gatishmëri për lidership, përkatësisht nuk marrin përgjegjësi, duke ndikuar pozitivisht te të tjerët, nuk do të munden lehtësisht ti ikin përgjegjësisë për fajin që do t’iu vishet me të drejtë nga elektorati.

Kjo për arsye se do të jetë shumë vështirë, madje gati e pamundur, që t’i iket fajit për zgjedhjet eventuale të sërishme, kur të merret parasysh thëniet e njohura: “Faji nuk qëndron në pasojat e veprimeve, por në qëllimet e atij që i kryen” dhe “Asnjë faj nuk harrohet për aq kohë sa e ruan ndërgjegjja”. E kotë do të mbetet përpjekja e tyre për t'ia hedhur fajin tjetërkujt apo për ta mohuar kontributin e tyre shkakësor me qëllim të kamuflimit të tij.

Jam thellësisht i bindur se nëse liderët partiak kthehen rishtas te parimet fillestare të dakorduara në takimin e parë, sipas të cilave duhet zgjedhur një President mbipartiak të paimponuar ndaj njëri-tjetrit, do të gjejnë konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e tij.

Kujtoj se po zvarritet pa nevojë zgjedhja e Presidentit, aq më parë kur kemi të bëjmë me një funksion me rol përfaqësues, garantues dhe kontrollues, sepse në sistemet parlamentare, Presidenti nuk ka pushtet të drejtpërdrejtë ekzekutiv dhe është kryesisht një figurë ceremoniale dhe unifikuese.

Nëse te roli i tillë qëndron arsyeja e mungesës së gatishmërisë për të bërë përpjekje që me propozime konkrete të kandidatëve të mundshëm, nga mesi i zyrtarëve profesionist, diplomatëve të karrierës apo nga sfera akademike, të gjendet një zgjidhje, kjo do të dëshmonte qartë se shfrytëzohet ky rast i stisur.

Situata e tillë, me prapavijë politike, do të kurdisej nga opozita për të rrëzuar një qeveri me legjitimitet të plotë, të fituar në zgjedhjet e fundit. Qëllimi i tillë është qartësisht dashakeq dhe nuk është në interesin e përgjithshëm shtetëror. Kuptohet, pasojat për këtë do ti bart fajtori, dhe nuk është e qartë pse duhet përsëritur gabimin e njëjtë nga rasti i moskonstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me respekt, Prof. dr. Rexhep Hasani

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK