Zërat
Zeqir Bekolli
Zeqir
Bekolli

Punëtorët e “Rilindjes”: Të diskriminuar dhe pa pension të plotë!

Zërat April 09, 2026 - 19:47

Historia e gazetës Rilindja nuk është vetëm histori e gazetarisë shqiptare në Kosovë, ajo është edhe histori e rezistencës kulturore dhe politike të një populli nën pushtim.

Por paradoksi tragjik është se njerëzit që e mbajtën gjallë këtë institucion në kohët më të vështira, sot vazhdojnë të përballen me padrejtësi dhe diskriminim institucional.

Goditja e parë e rëndë erdhi në gusht të vitit 1990, kur regjimi i Slobodan Millosheviqit ndaloi botimin e gazetës “Rilindja”. Ky akt nuk ishte vetëm një vendim administrativ. Ai ishte rdhe një përpjekje për të heshtur zërin e shqiptarëve në Kosovë. Gazetarët dhe punëtorët e saj u përballën me presion, vrasje,  përndjekje dhe humbje të vendeve të punës.

Megjithatë, fryma e gazetës nuk u shua. Ajo vazhdoi të jetojë përmes gazetës "Bujku", e cila u bë një formë alternative e informimit dhe rezistencës. Por edhe kjo përpjekje u ndërpre, më 31 dhjetor 1998, në kulmin e represionit serb dhe territ informativ gjatë luftës në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së Administratës Ndërkombëtare, shumëkush priste që padrejtësitë të korrigjoheshin. Por ndodhi e kundërta. Më 30 janar 2002, administrata e UNMIK-ut, me një vendim të njëanshëm, i dëboi punëtorët e “Rilindjes” nga Pallati i saj. Ky veprim u perceptua nga shumëkush si një goditje e re ndaj një institucioni që kishte mbijetuar edhe nën regjimin represiv serb.

Diskriminimi nuk u ndal me kaq. Në periudhën e Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, punëtorët dhe gazetarët e “Rilindjes” vazhduan të përballen me trajtim të padrejtë. Kompleksi i “Rilindjes”, me rreth 5.5 hektarë truall, iu mor ndërmarrjes, ndërsa proceset e privatizimit dhe kompensimit u shoqëruan me vonesa dhe paqartësi.
Një ndër çështjet më të diskutueshme është ajo e të ashtuquajturit “20 përqindësh”, që u takon punëtorëve nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.

Edhe pse punëtorët e “Rilindjes” kanë të drejtë në këtë përqindje për ndërtesat, pagesat janë vonuar për vite të tëra, ndërsa e drejta për 20 për qind të truallit është mohuar plotësisht.

Padrejtësia bëhet edhe më e thellë kur merret parasysh çështja e stazhit të punës. Ligji parasheh njohjen e stazhit për periudhën 1989–1999 për punëtorët që punuan me ligje të Republikës së Kosovës dhe  u përjashtuan nga puna për arsye politike. Megjithatë, për shumë punëtorë e gazetarë të “Rilindjes” nuk është njohur stazhi për periudhën 1990–2002, edhe pse ata vazhduan të punojnë dhe të kontribuojnë në rrethana jashtëzakonisht të vështira.

Si pasojë e këtyre vendimeve, shumë prej këtyre gazetarëve dhe punëtorëve sot përballen me një realitet të hidhur, me  mohimin e të drejtës për pension të plotë. Kjo padrejtësi nuk është produkt i një qeverie të vetme, por ajo është trashëguar dhe vazhduar nga të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë deri te kjo e sotmja.

Në një shoqëri që pretendon të ndërtojë shtetin e së drejtës dhe të nderojë historinë e saj, trajtimi i punëtorëve të “Rilindjes” mbetet një provë morale dhe institucionale. Punëtorët e "Rilindjes" nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm njohjen e kontributit të tyre dhe një Ligj që rregullon statusin e pensionistit në realitetin e ri në Kosovë.

Sepse pa  këtë ligj edhe gjykatat tona po kanë telashe të sjellin vendime në dobi të pensionistëve të diskriminuar. Me një fjalë, pa drejtësi për ata që mbajtën gjallë fjalën e lirë në kohët më të errëta, edhe vetë kujtesa e lirisë rrezikon të zbehet.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK