“Legalizohet” një tjetër PDK në Skenderaj

“Legalizohet” një tjetër PDK në Skenderaj

Zgjedhjet 2019 September 16, 2019 - 08:15
detajet
Image

Çarja e madhe në PDK-në e Skenderajt ka vazhduar të bëhet edhe më e madhe tani me fillimin e parafushatës zgjedhore. Sidoqoftë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përkrahet edhe nga struktura e Degës që udhëhiqet nga Sami Lushtaku, edhe nga ajo që e përbëjnë ish-deputeti Bekim Haxhiu, nënkryetari i Skenderajt Nuredin Lushtaku dhe asamblistët e larguar nga PDK-ja e të cilët pësuan debakël në zgjedhjet e brendshme të PDK-së, shkruan sot gazeta "Zëri".

Skenderaj. Çarja e madhe në PDK-në e Skenderajt, jo që nuk është mbyllur as pas zgjedhjeve të brendshme, por ka filluar të bëhet edhe më e madhe. Aktualisht në Skenderajt veprojnë dy degë të PDK-së, njëra që udhëhiqet nga Sami Lushtaku dhe një tjetër nga njerëz që i mbledh rreth vetes ish-deputeti Bekim Haxhiu. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, mban takime me të dyja palët tani kur ka filluar parafushata zgjedhore e 6 tetorit.

LEXO EDHE: Pozitat shtetërore në funksion të mbledhjes së votave partiake

Pozitat shtetërore në funksion të mbledhjes së votave partiake

“Një takim me strukturat e Degës së PDK-së në Skenderaj, në kuadër të mobilizimit për zgjedhjet e 6 tetorit, në të cilat Kadri Veseli është nominuar nga PDK-ja për kryeministër të Kosovës. Sot, në takim mobilizues, së bashku me kryeministrin në ardhje, Kadri Veseli, gjeneralin Nuredin Lushtakun, prof. Blerim Latifin, ministrin Abelard Tahirin dhe një numër i madh i strukturave të PDK-së, Dega në Skenderaj, diskutuam për proceset nëpër të cilat është duke kaluar vendi dhe për të ardhmen e të rinjve dhe të rejave të Kosovës. Të gjithë u pajtuam se korrupsioni, nepotizmi, uzurpatorët, keqpërdoruesit e parasë publike janë të këqijat dhe rreziku më i madh i së ardhmes së Kosovës, andaj përkrahja për Kadri Veselin është përkrahje për të ardhmen e të rinjve dhe të rejave të vendit tonë , është përkrahje e kthimit të shpresës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social “Facebook".

Por nga ajo çfarë shihet në fotot e postuara nga Haxhiu, asnjë nga strukturat legjitime të Degës së PDK-së në Skenderaj nuk merrte pjesë në këtë takim. Përveç Haxhiut, aty ndodheshin nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, ministri Abelard Tahiri, kandidat për deputet, prof. Blerim Latifi, këshilltar i Veselit dhe kandidat për deputet, drejtori i QKMF në Skenderajt, dr. Fazli Kadriu, si dhe disa asamblistë të PDK-së në Kuvendin e Skenderajt, të cilët janë larguar nga PDK-ja për shkak se siç ishte thënë në një komunikatë të PDK-së, “kanë tradhtuar PDK-në”. Asnjëri nga ata nuk është pjesë e strukturave të Degës së PDK-së, por që kryetari i PDK-së Kadri Veseli mban takime me ta.

Vetëm dy ditë më herët kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tani me një pjesë të strukturave legjitime të Degës së PDK-së, me kryetarin Sami Lushtaku, pastaj Fadil Nura, kandidat për deputet, Ganimete Musliu, Mërgim Lushtaku, gjithashtu kandidatë për deputetë dhe të tjerë kanë mbajtur një takim me veteranët e luftës së UÇK-së të Drenicës, në shtëpinë e një prej komandantëve të UÇK-së, Jakup Nura, në Prellofc.

Vetë kryetari Lushtaku, si dhe kandidatja për deputete Ganimete Musliu, kanë konstatuar se Kadri Veseli gëzon mbështetjen e njerëzve të luftës.

“Bashkë me kryetarin Kadri Veseli qëndruam në shtabin e fshatit Prelloc të Skenderajt. Prelloci në të gjitha periudhat ka mbështetur organizimet që janë në të mirë të vendit. Këta qytetarë sot janë rreshtuar drejt, duke mbështetur fuqishëm Partinë Demokratike të Kosovës. Takimet me veteranë të UÇK-së në Drenicë janë gjithmonë kënaqësi dhe përkujtim se ua kemi edhe një borxh: të mos i bëjmë të ndihen të turpëruar sot, pse dje ishin të gatshëm ta jepnin jetën për Kosovën. Kryeministri i ardhshëm Kadri Veseli do ta ketë përkrahjen tonë të plotë në iniciativën e tij për pastrimin e listave të veteranëve”, kanë shkruar mes tjerash ata.

Kjo çarje në Degën e PDK-së në Skenderaj ka nisur me shpalljen e zgjedhjeve për pushtetin lokal në vitin 2017 për shkak të mospajtimeve dhe të kundërshtimeve të ndërsjella në mes të kryetarit të atëhershëm të Skenderajt, Sami Lushtaku dhe ish-deputetit, Nuredin Lushtaku. Si zgjidhje ishte gjetur kandidimi i Bekim Jasharit, i cili siç kishte deklaruar vetë kryetari Veseli, në zgjedhje do të mbështetej nga PDK-ja. Me ta marrë pushtetin Jashari kishte emëruar zëvendës të tij Nuredin Lushtakun, ndërsa kishte arritur që 9 asamblistë të PDK-së t’i kalojnë në anën e tij, për t’i pasur numrat në Kuvendin e Skenderajt.

Dega e PDK-së në Skenderaj në një mbledhje të kryesisë pati larguar nga partia asamblistët, siç thoshin ata “tradhtarë”, ndërsa Bekim Haxhiun e kishin shkarkuar nga pozita e nënkryetarit të Degës. Ndonëse ishin përjashtuar, PDK-ja i kishte lejuar të gjithë ata të marrin pjesë në zgjedhjet e brendshme të PDK-së, por ata kishin pësuar debakël në zgjedhje.

Tani çarja në degën e PDK-së në Skenderaj është bërë edhe më e madhe dhe praktikisht në Skenderajt veprojnë dy degë të PDK-së, njëra legjitime që ka dalë nga vota e anëtarësisë së PDK-së dhe e cila udhëhiqet nga Sami Lushtaku dhe dega tjetër paralele, rreth së cilës mblidhen kundërshtarët e kryetarit Sami Lushtaku. Në anën tjetër duket se për kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, gjithçka është në rregull, pasi ai mban takime edhe me degën paralele, njëjtë sikurse me atë legjitime./ZERI

Të rekomanduara