Numërimi i votave për deputetë, sërish përplasje verbale mes vëzhguesve të LVV-së dhe LDK-së
Foto: Laura Hasani

Numërimi i votave për deputetë, sërish përplasje verbale mes vëzhguesve të LVV-së dhe LDK-së

Zgjedhjet 2025 February 16, 2025 - 14:39

Në Qendrën e Numërimit të votave për deputetë, më saktë në sallën 1 Tetori, vëzhguesit janë përplasur verbalisht për shpalljen ose jo të një vote të pavlefshme.

Bëhet fjalë për vëzhguesit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët patën mosmarrëveshje për votat, duke bërë kështu që të ndalet procesi i numërimit të votave për deputetë deri në 10 minuta, raporton KlanKosova.

Kjo nuk është hera e parë që vëzhguesit gjatë procesit të numërimit të votave përplasen. Kujtojmë që ditë më parë një përplasje fizike, ku ndërhyri edhe Policia, ndodhi po prej vëzhgueseve të LVV-së dhe LDK-së.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e sotme doli me të dhëna të reja sa i përket procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputet.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ deri në përfundim të ditës së shtunë (15 shkurt 2025), janë numëruar 53.96% e vendvotimeve apo 1,367 nga gjithsej 2,533 vendvotime.