Xhafer Gashi, kandidat i LDK-së për deputet

Xhafer Gashi, kandidat i LDK-së për deputet

Zgjedhjet 2025 December 07, 2025 - 14:57

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe ish-kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka konfirmuar se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të cilat do të mbahen më 28 dhjetor, shkruan Zeri.info.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Gashi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

“Tani ka ardhur koha për një hap të ri. Do të jem kandidat për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me synimin që t’u shërbej me përkushtim të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Gashi ndër të tjerash.

Theksojmë se pas humbjes në Obiliq, Gashi kishte ofruar dorëheqjen e tij nga të gjitha pozitat në LDK, por që një kërkesë të tillë nuk e kishte aprovuar kryesia e LDK-së.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, LDK-ja në fletëvotim do ta ketë numrin 123, shkruan “Zëri”.

Postimi i plotë i Gashit, pa ndërhyrje:

Pas 12 viteve angazhim si Kryetar i Komunës së Obiliqit, kam pasur fatin që me punë dhe përkushtim të kontribuoj në transformimin e qytetit tonë. Gjatë këtyre viteve kam dhënë maksimumin në zhvillimin e komunës, në zbatimin e ligjeve dhe realizimin e projekteve të rëndësishme, duke punuar gjithmonë me përgjegjësi dhe në shërbim të qytetarëve të Obiliqit.

Tani ka ardhur koha për një hap të ri.

Do të jem kandidat për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me synimin që t’u shërbej me përkushtim të gjithë qytetarëve. /Zëri