KQZ-ja miraton dizajnin e fletëvotimeve, paralajmërohet ankesë në PZAP
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja miraton dizajnin e fletëvotimeve, paralajmërohet ankesë në PZAP

Zgjedhjet 2025 December 08, 2025 - 14:23

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit që do të përdoret në vendvotime brenda vendit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen 28 dhjetor 2025.

Pas vendimit, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Anëtarja e KQZ-së nga Partia Turke, Mybera Shinik, e cila ka kërkuar që fletëvotimet në Prizren dhe Mamushë të jenë të shënuara edhe në gjuhën turke, ka paralajmëruar se do të ankohet kundër vendimit të KQZ-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Vendimi i KQZ-së vjen pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në këtë fletëvotim. Fletëvotimi përmban 24 subjektet politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor, prej të cilave, 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Në mbledhjen e kaluar, KQZ-ja ka miratuar fletëvotimin për votimin jashtë Kosovës, i cili është i njëjtë, si në përmbajtje, ashtu edhe në dizajn.