Abdixhiku prezanton 30 kandidatët e Degës së Prishtinës për Kuvendin e Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, prezantoi sot listën me 30 kandidatë të propozuar nga pesë degët e LDK-së në Prishtinë, duke e cilësuar atë si ekipin më të përgatitur dhe më të denjë për të përfaqësuar kryeqytetin në Kuvendin e Kosovës.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku shprehu krenarinë për secilin kandidat dhe shprehu bindjen për fitoren e LDK-së në Prishtinë, duke theksuar se kryeqyteti “do të flasë sërish i pari”. Ai theksoi se lista përbëhet nga profesionistë me integritet, përvojë dhe njohje të thellë të zhvillimeve në Kryeqytet dhe në nivel kombëtar.
Një nga pikat kryesore të prezantimit ishte përfaqësimi i barabartë gjinor, ku 50% e listës janë gra. Abdixhiku u shpreh se ky përfaqësim nuk është thjesht formal, por reflekton liderë, profesioniste dhe aktiviste të dëshmuara, duke përfaqësuar standardin e LDK-së për një përfaqësim modern dhe evropian.
Në përmbyllje, kreu i LDK-së bëri thirrje qytetarëve të Prishtinës që të zgjedhin shpresën dhe një vizion qytetar për të ardhmen e Kryeqytetit.