Hamza: Mjaft me përçarje, koha për bashkim dhe punë për qytetarët
Foto: Laura Hasani

Hamza: Mjaft me përçarje, koha për bashkim dhe punë për qytetarët

Zgjedhjet 2025 December 11, 2025 - 10:23

Në një video të publikuar sot, kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka adresuar gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në vend, duke theksuar se Kosova po përjeton lodhjen e pesë viteve të vështira - me rritje çmimesh, stagnim të pagave dhe dëshpërim te të rinjtë që po largohen.

Hamza tha se qytetarët janë ngarkuar nga një qeveri që ka dështuar të mbajë premtimet dhe ka zgjedhur përçarjen në vend të bashkimit. Sipas tij, Kosovës i ka munguar një qeveri që punon për qytetarët dhe një lidership që dëgjon dhe sjell rezultate.

“Familjet po punojnë shumë, por prapë mezi po e mbushin tryezën. Të rinjtë po ëndërrojnë një të ardhme që nuk po e gjejnë këtu. Kjo ka ndodhur sepse kemi një qeveri që ka sjellë jostabilitet dhe premtime të pambajtura”, tha Hamza në videomesazh.

Ai theksoi se është i gatshëm të sjellë “atë që mungon”: rritje pagash, përmirësim të mirëqenies dhe tejkalim të përçarjeve.

“Ne nuk krijojmë kriza, por krijojmë mundësi për një jetë më të mirë për të gjithë”, u shpreh ai, duke shtuar se Kosova është lodhur, por jo thyer.

Videon e mbylli me thirrjen për një drejtim të ri për vendin: “Ka ardhur koha ta nisim kapitullin e ri. Bashkë. Përpara”.