KQZ-ja cakton menaxherët e qendrave të votimit jashtë Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar menaxherët e qendrave të votimit jashtë Kosovës dhe ka autorizuar stafin për tërheqjen e dërgesave nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe stafit për asistim në procesin zgjedhor.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së gjithashtu u emëruan anëtarët e këshillave të vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për angazhim në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Ndërkohë është bërë e ditur se brenda territorit të Kosovës, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Po ashtu KQZ-ja mori vendim për emërimin e anëtarëve të ekipeve të numërimit në qendrat komunale të numërimit për angazhim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Ndërkohë, në fillim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për akreditimin e grupit të tretë me 276 vëzhgues.
Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar deri më tani është 862 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë: organizata joqeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.