Smajljaj: Partitë po e projektojnë fitoren mbi humbjen e tjetrit, mungojnë programet konkrete
Foto: Laura Hasani

Smajljaj: Partitë po e projektojnë fitoren mbi humbjen e tjetrit, mungojnë programet konkrete

Zgjedhjet 2025 December 22, 2025 - 18:43

Politologu, Avdi Smajljaj ka vlerësuar se fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor po karakterizohet nga një gjuhë më e qetë, por me intensitet të lartë.

Ai ka thënë se shumica e partive politike po e projektojnë fitoren e tyre mbi humbjen e kundërshtarëve, në vend se të ofrojnë zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për problemet e qytetarëve.

“Ajo që mund të vërehet më së shumti është se pothuajse të gjitha partitë po e projektojnë fitoren e tyre në humbjen e kundërshtarëve. Nuk po shohim projekte konkrete apo zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për qytetarët, por më shumë një projeksion se do të fitojnë, do të rriten ose do të mbeten aty ku kanë qenë, duke shpresuar që të tjerët do të humbin. Sa i përket gjuhës, ajo duket më e qetë, megjithatë intensiteti i fushatës është mjaft i lartë”, ka vlerësuar ai.

Sipas Smajljajt, partitë ish-opozitare po synojnë një rikthim krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të ruajë pozicionin aktual.

Ai ka shtuar se kandidatët dhe partitë janë shumë aktivë si në media ashtu edhe në terren, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me votuesit në lokacione të ndryshme, çka sipas tij po ndikon në rritjen e intensitetit të fushatës.

“Kandidatët dhe partitë janë shumë aktivë, jo vetëm në media, por edhe në kontakt të drejtpërdrejtë me votuesit në lokacione të ndryshme. Ky intensitet lidhet edhe me përpjekjet e partive ish-opozitare për rikthim krahasuar me vitin 2021, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të ruajë pozicionin aktual”, ka thënë Smajljaj”, ka përfunduar Smajljaj./teve1