100 prokurorë të angazhuar për ta mbrojtur votën në zgjedhjet e 28 dhjetorit
Rreth 100 prokurorë të Shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial janë angazhuar për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor më 28 dhjetor, kur edhe do të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 28 dhjetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje”, kanë njoftuar nga Prokuroria.
Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë te prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.