KQZ: Disa javë zgjati përgatitja e votimit në përfaqësi diplomatike

KQZ: Disa javë zgjati përgatitja e votimit në përfaqësi diplomatike

Zgjedhjet 2025 December 27, 2025 - 16:53

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar fotografi nga procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike ku është duke u zhvilluar votimi për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas KQZ-së, procesi përgatitor për organizimin e votimit në 29 përfaqësitë diplomatike, zgjati disa javë.

“Pas një procesi përgatitor prej disa javësh, sot, në 29 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është duke u mundësuar votimit për shtetasit e vendit tonë. Gjatë ditës së sotme, 19,187 shtetasit e Kosovës që u regjistruan paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga 16 ambasadat dhe 13 konsullatat e Republikës së Kosovës, kanë të drejtë të votojnë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Më tej, KQZ ka bërë të ditur se kur do të përfundojë votimi në përfaqësitë diplomatike, sipas kohës lokale në Kosovë.

“Në orën 17:00, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në konsullatën e Stambollit, ndërkaq, në orën 19:00 qendrat e votimit do të mbyllen në shtetet tjera, si: Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke dhe Hungari. Në orën 20:00 votimi do të përfundojë në ambasadën e Kosovës në Londër, ndërkaq në orën 01:00 të ditës tjetër, gjithnjë sipas kohës lokale në vendin tonë, procesi i votimit do të përfundojë në 4 përfaqësitë diplomatike në ShBA dhe Kanada”, thuhet në njoftim.