DnV: Fushatë zgjedhore konkurruese, por e përqendruar tek liderët
Në prag të përmbylljes së fushatës zyrtare zgjedhore, Demokracia në Veprim (DnV), sot prezantoi një vlerësim analitik me gjetjet kryesore nga vëzhgimi, përmes të cilit u synua të ofrohet një pasqyrë reale mbi mënyrën se si është zhvilluar fushata në terren, çfarë mesazhesh janë komunikuar dhe sa gjithëpërfshirës ka qenë procesi për qytetarët.
Ismet Kryeziu, drejtues i DnV-së, tha se fushata zgjedhore, në përgjithësi është zhvilluar në një ambient të qetë dhe pa incidente serioze të sigurisë.
Ka pasur konkurrencë politike aktive, aktivitete të rregullta politike dhe pjesëmarrje qytetare në gjithë vendin. Megjithatë, vëzhgimi ka treguar disa prirje dhe sfida që kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e fushatës:
Gjatë fushatës është shënuar nivel i zbehtë i entuziazmit qytetar. Pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitetet e fushatës është luhatur ndjeshëm mes subjekteve politike dhe formave të organizuara të takimeve, nga qindra pjesëmarrës deri në mbi 1000 pjesëmarrës. Llojet e aktiviteteve kanë qenë të kombinuarame pjesëmarrje të mesme dhe me pjesëmarrje të gjerë në prezantimin e listave, dhe janë zhvilluar kryesisht në ambiente të mbyllura. Shtrirja e aktiviteteve ka treguar përqendrim të subjekteve në qendrat urbane dhe komunat më të mëdha e me peshë elektoral, ndërsa komunat më të vogla kanë qene më pak të ekspozuara
Fushata ka qenë dukshëm e personalizuar dhe e centralizuar. Liderët partiakë, apo kandidatët për kryeministër kanë dominuar pothuajse të gjitha aktivitetet, ndërsa kandidatët për deputetë dhe strukturat e tjera partiake ka pasur rol dytësor. Edhe pse ka pasur takime dhe organizime të kandidatëve pa prezencën e liderit, këto takime kryesisht kanë qenë të karakterit të takimeve të vogla. Ky personalizim i fushatës drejt liderit, ka kufizuar mundësit dhe paraqitjet programore nga ana e kandidatëve.
Përfaqësimi dhe gjithpërfshirja mbeten sfida serioze. Gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara si folëse – mesatarisht vetëm një në pesë – ndërsa në shumë aktivitete nuk ka pasur asnjë grua folëse. Në listat zgjedhore. Përfaqësimi i është mbajtur kryesisht në nivelin minimal ligjor prej 30%, duke treguar përmbushje formale të kërkesave ligjore, por jo nj angazhim politik për fuqizimine grave në politik apo refleksion të raportit të barabartë gjinor në listën e votuesve.
Të rinjët ndonëse aktiv në mobilizim dhe logjistikë, hapësira e tyre mbetet e kufizuar në rolet vendimmarrëse dhe përfaqësuese. Mosha dominuese e kandidatëve për deputetë sillet nga 30-50 vjeç.
Personat me aftësi të kufizuar,gjithashtu kanë qenë pothuajse të padukshëm në fushatë, si në audiencë ashtu dhe në përfaqësim.
Mesazhet kryesore dhe temat e fushatës. Dskursi politik gjatë fushatës zgjedhore është përqendruar kryesisht në çështje ekonomike, sociale, dhe ato të sigurisë, me theks të veçantë në tema si punësimi, pagat, mirëqenia sociale, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, anëtarësimi në NATO etj. Këto tema kanë dominuar mesazhet publike të subjekteve politike dhe janë përdorur si elemente kyçe për mobilizimin e elektoratit. Madje, çështja e rritjes së pagave dhe fuqizimi i skemave tjera të karakterit social i kanë karakterizuar pothuajse të gjitha subjektet politike, pavarësisht profileve të tyre ideologjike.
Toni dhe gjuha e fushatës, toni i fushatës ka variuar nga pozitive dhe motivuese, deri te kritikuese e polarizuese, megjithëse përdorimi i gjuhës fyese e diskriminuese, ka qenë shumë më pak e shprehur në këtë fushatë. Pra kryesisht gjuha ka qenë më e moderuar me përjashtim të disa momenteve të izoluara dhe më të pranishme tek akterë jashtë garës direkte zgjedhore.
Platforma kryesore të komunikimit politik, veçmas takimeve direkte rrjete sociale dhe mediat tradicionale. Përdorimi intensiv i këtyre platformave ka mundësuar shtrirje më të gjerë dhe më të shpejtë të mesazheve politike, duke rritur dukshmërinë e subjekteve politike dhe ndërveprimin me qytetarët. Megjithatë, ky dominim i komunikimit përmes mediave dhe platformave digjitale ka sjellë edhe sfida të dukshme, përfshirë rrezikun e dezinformimit, thjeshtimin e diskursit politik dhe reduktimin e debatit substancial në mesazhe të shkurtra.
Një shqetësim i veçantë mbetet pabarazia e garës. DnV vlerëson se edhe gjatë kësaj fushate ka pasur ndërhyrje dhe cenim të integritetit zgjedhor përmes shfrytëzimit të resurseve publike për përfitime elektorale. Rasti i vendimit për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët nga ana e Qeverisë, vetëm pak ditë para ditës së zgjedhjeve është rast klasik i shfrytëzimit të resurseve publike për qëllime elektorale – që mund të krijojë një avantazh jo të drejtë për subjektet politike në pushtet dhe të minojë besimin publik në procesin zgjedhor.
Puna e trupave menaxhuese zgjedhore ka qenë përgjithësisht e rregullt dhe dukshëm më transparente, ndonëse me raste të tensionimit të mbledhjeve të KQZ-së, sidomos sa i përket operacionit të votimit jashtë vendit dhe të akreditimit të vëzhguesve.
Në anën tjetër, PZAP ka pasur një rol kyç në integritetin e procesit zgjedhor, duke u fokusuar në paanshmëri, profesionalizëm dhe trajtim të ankesave. Aktiviteti i saj ka qenë vendimtar për rregullsinë e fushatës, duke ndihmuar në krijimin e një ambienti të besueshëm dhe të qetë për zhvillimin e aktiviteteve të fushatës. Deri më tani në PZAPjanë dorëzuar gjithsej vetëm 20 ankesa të parashtruara për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore dhe kodit të mirësjelljes. Nga këto ankesa janë marrë 7 vendime prej të cilave 4 vendime dënuese dhe 3 vendime refuzuese.
Pas disa paralajmërimeve për ndërprerje të rrymës gjatë ditës së zgjedhje, DnV bën thirrje tek autoritetet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha masat për të mos cenuar në asnjë formë integritetin e procesit.
Nesër, në Ditën e Zgjedhjeve, DnV do të vëzhgojë procesin me 600 vëzhgues ndërsa informatat dhe gjetjet nga terreni do të komunikohen përmes 4 konferencave të rregullta për media. DnV do të vëzhgojë zgjedhjet sipas metodës PVT, e bazuar në parime statistikore dhe që mundëson vlerësimin e procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe procesin e numërimit. PVT aplikohet në një mostër përfaqësuese të rastësishme të vendvotimeve, që do të thotë që rezultatet e marra në këtë mënyrë janë të aplikueshme në nivel vendi.