DnV-ja tregon parregullsitë që janë hasur në procesin zgjedhor

DnV-ja tregon parregullsitë që janë hasur në procesin zgjedhor

Zgjedhjet 2025 December 28, 2025 - 13:53

Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se deri në orën 12:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 13.7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa procesi i votimit, sipas vëzhgimeve në terren, po zhvillohet në mënyrë të qetë, por me disa parregullsi të evidentuara në vendvotime.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, në konferencën e radhës për media tha se, krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, pjesëmarrja deri në këtë orë është pak më e ulët.

“Që nga hapja e vendvotimeve, sipas vëzhguesve, procesi i votimit po rrjedh në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 13.7%. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, deri në këtë orë kanë votuar 14.5%, pra një dallim me përqindje të vogël”, tha ai.

Ai theksoi se janë identifikuar vështirësi në procesin e identifikimit të votuesve dhe paraqitje të votuesve në vendvotime të gabuara.

“Parregullsitë, ka pasur vështirësi për të identifikuar vendvotimin, është raportuar se në 50% të vendvotimeve ka pasur votues në vendvotime të gabuara. Ka pasur edhe votues që nuk kanë mundur që të gjejnë emrin e tyre në listat e votuesve”, tha ai.

Sipas tij, votimi me asistencë deri më tani ka qenë në nivel të ulët, ndërsa janë evidentuar raste të votimit me dokumente të pavlefshme.

“Votimi me asistencë, deri tani vetëm 1% e qytetarëve kanë votuar me asistencë. Votimi me dokumente të pavlefshme: DnV-ja ka gjetur që deri në 16% të vendvotimeve ka pasur dokumente me afat të skaduar”, tha ai.

Kryeziu shtoi se është shënuar rënie e rasteve të fotografimit të votës, por që ka pasur edhe probleme të përkohshme me energjinë elektrike në disa qendra votimi.

“Fotografimi i votës është në rënie e sipër, nga ajo që kemi pasur si fenomen. Deri në orën 12:00 ka pasur 13 raste të fotografimit të votës. Kemi pasur paralajmërim për ndërprerje të energjisë elektrike deri në 8 qendra, ku ka pasur ndërhyrje të shpejtë për lëshimin e rrymës”, tha ai. /eo