Elezi: Nesër nis numërimi i votave me postë
Foto: Laura Hasani

Elezi: Nesër nis numërimi i votave me postë

Zgjedhjet 2025 January 01, 2026 - 19:46

Nesër, më 2 janar me fillim nga ora 10:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.

Kështu deklaroi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dimë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, tha Elezi..

“Deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së”, theksoi ai.

Elezi shtoi se “nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”.

“Ndërkaq, nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%”, tha në fund zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi. /klankosova