Procesi i numërimit dhe verifikimit të votave drejt përfundimit
Gjatë ditës së sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QKN) në Prishtinë pritet të përmbyllet procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 10:00 janë procesuar 2,536 nga gjithsej 2,557 vendvotime, që përbën 99.18 për qind të vendvotimeve ku u zhvillua procesi i rregullt i votimit më 28 dhjetor 2025. Këto rezultate janë tashmë të publikuara në platformën online të KQZ-së për rezultate zgjedhore.
Në përgjithësi, procesi i numërimit dhe verifikimit në QKN, i cili ka nisur më 29 dhjetor 2025 dhe ka vazhduar deri më 2 janar 2026, është përmbyllur në 37 komuna të vendit. Këto komuna janë: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Suharekë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj.
KQZ ka bërë të ditur se përfundimi i këtij procesi përbën një hap të rëndësishëm drejt certifikimit përfundimtar të rezultateve zgjedhore, ndërsa çdo e dhënë do të vazhdojë të publikohet në mënyrë transparente për publikun dhe subjektet politike./Zëri