Hoti pas zgjedhjeve: Rezultati nuk e pasqyron potencialin e LDK-së, koha për unitet dhe ringritje
Foto: Laura Hasani

Hoti pas zgjedhjeve: Rezultati nuk e pasqyron potencialin e LDK-së, koha për unitet dhe ringritje

Zgjedhjet 2025 January 03, 2026 - 17:17

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka falënderuar qytetarët dhe anëtarësinë e LDK-së për mbështetjen e dhënë në zgjedhje, duke vlerësuar se rezultati i arritur nuk e pasqyron potencialin real të kësaj partie.

Në një reagim në Facebook, Hoti theksoi se angazhimi dhe sakrifica e strukturave të LDK-së në gjithë Kosovën mbeten të paçmueshme, pavarësisht rezultatit zgjedhor. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryesinë, degët, nëndegët dhe, siç u shpreh, “para së gjithash për anëtarësinë besnike që e mban LDK-në gjallë edhe në kohë sfiduese”.

Hoti falënderoi edhe votuesit që i kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se ky besim është më i madh se në zgjedhjet e shkurtit 2025 dhe përbën obligim për angazhim të mëtejmë në fuqizimin dhe ringritjen e partisë.

Sipas tij, ky rezultat dëshmon se elektorati i LDK-së kërkon forcim të vlerave themeltare, si demokracia e brendshme, guximi politik, vizioni shtetformues dhe orientimi i palëkundur euro-atlantik.

“LDK-ja ka nevojë për unitet të brendshëm dhe ballafaqim të hapur të ideve për të ardhmen e saj, si dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në këtë organizatë politike që përbën domosdoshmëri për demokracinë e vendit”, ka theksuar Hoti.

Ai u shpreh i bindur se LDK-ja, kur është e bashkuar dhe e udhëhequr me vizion, di të ringrihet dhe t’i shërbejë vendit, duke riafirmuar angazhimin e tij për demokraci, shtetësi, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të Kosovës.

Në fund, Hoti përfundoi mesazhin e tij me thirrjen: “Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës! Zoti e bekoftë popullin tonë!”.