Një ulëse ende në lojë mes PDK-së dhe LDK-së, votat e tjera me postë mund ta ndryshojnë rezultatin
Foto: Laura Hasani

Një ulëse ende në lojë mes PDK-së dhe LDK-së, votat e tjera me postë mund ta ndryshojnë rezultatin

Zgjedhjet 2025 January 07, 2026 - 09:18

Rezultatet e përmbledhura preliminare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit tregojnë një epërsi të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje, por me një ndarje mandatesh, që mbetet ende e brishtë dhe e hapur për ndryshime pas numërimit të votave të mbetura me postë.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, me 99,47 për qind të vendvotimeve të numëruara, LVV-ja prin me 50,72 për qind të votave, që përkthehet në 57 mandate.

Image

Pas saj renditet PDK -ja me 20,40 për qind dhe 23 mandate, ndërsa LDK ka 13,29 për qind dhe 14 mandate. AAK-ja ka siguruar 6 mandate, ndërsa Lista Serbe 9 mandate.

Image

Duhet theksuar se nga numërimi i votave me kusht, PDK-ja riktheu ulësen e 23-të, kurse LDK-ja e humbi një.

Megjithatë, sipas Eugen Cakollit nga KDI-ja, ndarja aktuale e mandateve është ndikuar ndjeshëm nga votat me kusht, ku PDK-ja ka performuar dukshëm më mirë se LDK-ja, me pothuajse dyfish më shumë vota, ndërsa LVV-ja ka qenë pak mbi përqindjen e saj në votimin e rregullt.

Cakolli thekson se dallimi mes koeficientëve më të ndjeshëm për ndarjen e mandateve – LVV (57), PDK (23) dhe LDK (15) është vetëm rreth 10 pikë, që në terma praktikë përkthehet në vetëm disa qindra vota diferencë në nivel kombëtar, të cilat kanë qenë vendimtare për ndarjen aktuale.

“Me rreth 14 mijë vota me postë ende për t’u numëruar, mandati i fundit i të trija këtyre partive mbetet ende në lojë”, ka shkruar Cakolli.

Sipas tij, gjasat më reale për ndryshim janë në raportin PDK–LDK, veçanërisht nëse vazhdon trendi aktual i votave me postë, çka mund t’ia rikthejë LDK-së mandatin e 15-të, duke e zbritur PDK-në në 22 mandate sërish, shkruan telegrafi.

Cakolli shton se LVV-ja e ka të vështirë të arrijë mandatin e 58-të, përveç nëse shënon një performancë dukshëm më të lartë në votat me postë, rreth ose mbi 80 për qind, krahasuar me rreth 72 për qind sa ka pasur deri më tani.

Numërimi i votave me postë pritet të jetë vendimtar për finalizimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.