Supremja e refuzon ankesën e PDK-së, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-it
Foto: Laura Hasani

Supremja e refuzon ankesën e PDK-së, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-it

Zgjedhjet 2025 January 15, 2026 - 11:43

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas një njoftimi për media thuhet se pasi PZAP ka hedhur si të pas-afatshme ankesën ZP.A nr. 69/2025, të datës 08.01.2026, ky subjekt politik, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar, mes të tjerash, që Gjykata Supreme të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë, pas datës 29.12.2026, ora 16:00 dhe të përjashtojë nga numërimi të gjitha fletëvotimet me postë të pranuara pas këtij afati, përfshirë ato të pranuar më 02.01.2026 dhe 05.01.2026, si dhe të bëjë rishikimin e rezultatit zgjedhor, pa përfshirjen e këtyre fletëvotimeve.

"Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pathemeltë. Gjykata Supreme, nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, me të cilin e ka hedhë poshtë si të pasafatshme ankesën e subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës", thuhet në njoftim.

Gjykata Supreme vlerëson se afatet ligjore janë garanci për palën ankuese dhe detyrim për organet përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave brenda afatit kohor, ndërsa veçanërisht afatshmëria e ankesave në procesin zgjedhor është jetike për t’u përmbyllur si i tillë dhe të mos ketë prolongime kohore.

KËTU mund ta lexoni vendimin e plotë të Supremes. /Zëri