Vazhdon rinumërimi, Gjykata Supreme refuzon ankesën e PDK-së
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka vazhduar rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ditë më parë.
Ndërkohë që Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor të vitit 2025.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka vazhduar rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy ditë më parë.
Nga fillimi i këtij procesi, janë rinumëruar 158 nga 914 vendvotime, të cilat i takojnë komunës së Deçanit, Gjakovës, Drenasit, Gjilanit, Dragashit, Istogut, Kaçanikut, Klinës , Fushë Kosovës dhe Mitrovicës së Jugut.
Në Dragash tashmë ka përfunduar rinumërimi dhe në bazë të të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, del se ka dallime në mes të numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit dhe rinumërimit.
Dallimi më i madh në vota në listën për kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje e cila në Dragash ka marrë 37.97% të votave, ka kandidati për deputet nga Dragashi, Filiz Mustafa. Mustafa sipas të dhënave nga QKN kishte marrë 3 mijë e 36 vota kurse pas numërimit i dolën 2 mijë e 805 vota. Kjo i bie se Mustafës, pas rinumërimit i dolën 231 vota më pak. Në listën e LDK-së e cila ka dalë e dyta në Dragash me 19.79% ka dallime më të vogla në shifra, e njëjtë edhe në Partinë Demokratike, të cilën,gjatë ditës, Gjykata Supreme e njoftoi se ia ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ky institucion ka bërë të ditur se hodhi poshtë kërkesën e PDK-së, që të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë, pas datës 29.12.2026, dhe të përjashtojë nga numërimi të gjitha fletëvotimet me postë të pranuara pas këtij afati.
Njoftimi thotë se Gjykata Supreme, nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, me të cilin e ka hedhë poshtë si të pas-afatshme ankesën e këtij subjekti politik.
Rinumërimi i 914 vendvotimeve, që nisi pas një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet të zgjasë deri në dy javë.
Rrjedhimisht kjo do ta vonojë edhe themelimin e i institucioneve të reja, në një kohë kur vendi përballet me kërkesën për kalim të marrëveshjeve ndërkombëtare financiare, por edhe zgjedhja e presidentit të ri të vendit.
Në pritje të certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe formimit të institucioneve të reja të vendit, Bashkimi Evropian radhiti detyrat e para të ekzekutivit të ri. Ndër to, kryesore mbetet zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.