Vazhdon procesi në QNR, rinumërohen 445 nga 914 vendvotime
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka marrë vendim që të rinumërohen.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, nga fillimi i këtij procesi më 13 janar dhe deri më tani janë rinumëruar 445 nga 914 vendvotime.
“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 18 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 445 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (172/235)”, tha ai për Klankosova.tv.
Elezi njoftoi se procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna.
“Sipas të dhënave, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërkohë edhe gjatë ditës së sotme është duke vijuar rinumërimi i vendvotimeve që i takojnë komunës së Prizrenit dhe më pas, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë proces”, shtoi ai.
