Rinumërimi i votave, Prokuroria e Ferizajt nis hetimet
Foto: Laura Hasani

Rinumërimi i votave, Prokuroria e Ferizajt nis hetimet

Zgjedhjet 2025 January 22, 2026 - 11:07

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se, në kuadër të kompetencave të saj ligjore si institucion i Prokurorit të Shtetit, është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.

Sipas njoftimit, Prokuroria ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë të caktuar, me qëllim të sigurimit të provave relevante, identifikimit të personave përgjegjës dhe administrimit të plotë të materialit zgjedhor, në përputhje me legjislacionin në fuqi, transmeton Zeri.info.

Prokuroria thekson se veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis.

Në fund, Prokuroria Themelore në Ferizaj rithekson se do të mbetet e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimit të sundimit të ligjit. /Zëri