Vazhdon rinumërimi i votave pas manipulimeve, mbi 62% e vendvotimeve të përfunduara
Po vazhdon rinumërimi i votave për kandidatët për deputetë që garuan në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, pas evidentimit të manipulimeve të mëdha gjatë procesit zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), deri tani janë rinumëruar 1,591 nga gjithsej 2,557 vendvotime, apo 62.22 për qind e totalit. Të dhënat e fundit janë publikuar më 25 janar 2026, në ora 08:11.
Sipas KQZ-së, procesi i rinumërimit ka nisur më 13 janar 2026, në ora 18:00, ndërsa deri më tani është përmbyllur rinumërimi në 22 komuna.

Rinumërimi po vazhdon sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se institucioni “është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedohet me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”.
Ai ka shtuar se KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të përfundojë gjatë javës në vazhdim.
Ndërkohë, për shkak të manipulimeve të dyshuara, Prokuroria në Prizren ka arrestuar 109 komisionerë.
Për 21 prej tyre është kërkuar paraburgim për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, ndërsa një komisionere dyshohet për dy vepra penale, falsifikim të rezultatit të votimit dhe marrje ryshfeti.
Po ashtu, një vëzhgues dyshohet për veprat penale kanosje dhe dhënie ryshfeti./Telegrafi