Përfundon afati, PZAP-i pranon shtatë ankesa për rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit
Foto: Laura Hasani

Përfundon afati, PZAP-i pranon shtatë ankesa për rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit

Zgjedhjet 2025 February 02, 2026 - 12:22

Në orën 11:00 ka përfunduar afati për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Nga ky institucion kanë thënë se kanë pranuar shtatë ankesa në lidhje me shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

PZAP-i shton se për këto ankesa ka 96 orë kohë të vendosë.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar shtatë ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Për të gjitha ankesat e pranuara, PZAP-i do të vendosë brenda afatit ligjor prej nëntëdhjetë e gjashtë (96) orësh nga data e parashtrimit të secilës ankesë”, thuhet në përgjigjen e PZAP-it për Express.

Ankesat e pranuara janë:

Një (1) ankesë nga PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS – PREBK,

Dy (2) ankesa nga PDK – kandidati Bekim Haxhiu,

Një (1) ankesë nga Koalicioni PAI–PDAK–LPB,

Dy (2) ankesa nga NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS,

Një (1) ankesë nga LISTA SERBE.