Supremja refuzon ankesën e kandidatit të PDK-së për rinumërim të plotë të votave

Supremja refuzon ankesën e kandidatit të PDK-së për rinumërim të plotë të votave

Zgjedhjet 2026 June 26, 2026 - 14:25

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, i cili kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave preferenciale të subjektit të tij politik në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit 2026.

Supremja ka vërtetuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e konsideruar atë të drejtë dhe të bazuar në ligj, transmeton Zeri.info.

Kryeziu në ankesën e tij kishte pretenduar se gjatë procesit të numërimit dhe rinumërimit të pjesshëm të 185 vendvotimeve ishin evidentuar mospërputhje të votave, duke kërkuar që të urdhërohej rinumërimi i plotë i votave preferenciale të të gjithë kandidatëve të PDK-së.

Ai kishte argumentuar se ndryshimet e konstatuara në disa vendvotime krijonin dyshime për pasaktësi më të gjera në procesin e numërimit dhe se vetëm një rinumërim i plotë do të garantonte, sipas tij, pasqyrimin e saktë të vullnetit të votuesve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përgjigjen e tij kishte sqaruar se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte pjesë e një mekanizmi kontrollues të paraparë me ligj dhe jo rezultat i parregullsive sistematike.

Ndërkohë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte konstatuar se ankesa ishte e pabazuar, duke theksuar se nuk ishin identifikuar prova konkrete për parregullsi jashtë mostrës së rinumëruar.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme e Kosovës thekson se pretendimet e ankuesit mbeten në nivel supozimesh dhe nuk mbështeten në prova të verifikueshme. /Zëri