
Shehu: Kemi realizuar 90% të premtimeve për qytetarët e Junikut
Ruzhdi Shehu, aktualisht kryetar i Komunës së Junikut dhe kandidat për një mandat të ri, ka prezantuar programin qeverisës për periudhën 2025-2029, duke nxjerrë në pah arritjet e mandatit të parë dhe planet për zhvillimin e Komunës.
Shehu deklaroi se gjatë mandatit të parë janë realizuar mbi 90% të premtimeve të bëra para qytetarëve, duke investuar më shumë se 11 milion euro në projekte kapitale dhe rreth 400.000 euro në subvencione. Ai theksoi se 49 projekte konkrete u përfunduan gjatë këtyre katër viteve, nga të cilat 35 ishin premtime elektorale që nuk kishin ekzistuar më parë.
“Fjalët tona sot janë garanci për Junikun nesër. Këtë nuk e themi ne, por qytetarët e Junikut dhe organizatat që kanë bërë matjen e realizimit të premtimeve tona”, shkroi Shehu.
Për mandatin e ardhshëm, Shehu prezantoi 31 projekte dhe premtime të reja me një vlerë investimi mbi 13 milion euro, përfshirë 400.000 euro subvencione dhe ndërtimin e një parku solar me një investim prej rreth 42 milion euro, që sipas tij do të vendosë Junikun në qendër të hartës energjetike të Kosovës.
Shehu gjithashtu kritikoi kundërshtarët politik, duke thënë se ata nuk ofrojnë program serioz dhe përdorin shpifje, fyerje dhe akuza personale, ndërkohë që qytetarët e Junikut i vlerësojnë punët konkrete dhe jo fjalët boshe.
Ai përfundoi duke i ftuar qytetarët që të njihen me detajet e programit qeverisës për mandatin e ardhshëm përmes faqes zyrtare të LDK-së në Junik. /Zëri