OSBE-ja përshëndet akreditimin mediave në gjuhën serbe nga KQZ-ja

OSBE-ja përshëndet akreditimin mediave në gjuhën serbe nga KQZ-ja

Zgjedhjet Lokale 2025 October 10, 2025 - 21:44

Sot KQZ-ja ka marrë vendim për akreditimin e 28 mediave vendore dhe ndërkombëtare për vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Për këtë ka reaguar OSBE-ja ku këta të fundit kanë ‘’përshëndetur ngrohtësisht’’ vendimin e KQZ-së për të akredituar mediat në gjuhën serbe dhe mediat e tjera, duke vlerësuar se vendimi në fjalë forcon parimet gjithëpërfshirëse,

‘‘Misioni i OSBE-së në Kosovë përshëndet ngrohtësisht vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të akredituar mediat në gjuhën serbe dhe mediat e tjera për mbulimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 12 tetor. Ky hap gjithëpërfshirës forcon parimet e transparencës, barazisë dhe lirisë së medias – elemente thelbësore për zgjedhje të lira dhe të drejta’’, thuhet në reagim.]

Tutje, shtohet se qasja në informacion në të gjitha gjuhët e komuniteteve është një komponent kyç i kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës.

‘‘Qasja në informacion në të gjitha gjuhët e komuniteteve është një komponent kyç i kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës. Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat forcon besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe mbështet pjesëmarrjen e informuar në nivel komuniteti’’, ka shtuar më tej OSBE.

Në fund, në reagim theksohet se ky mision mbetet i përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes.

‘‘Misioni mbetet i përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes, pluralizmin mediatik dhe qasjen e barabartë në informacion për të gjitha komunitetet, në përputhje me parimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare’’, përfundohet në reagimin e OSBE-së.