
Kongresi i Këshillit të Evropës vlerëson zgjedhjet lokale në Kosovë
Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale i Këshillit të Evropës ka përmbyllur misionin e vëzhgimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të mbajtura më 12 tetor 2025.
Në këtë mision, i kryesuar nga Dominique Leveque nga Franca, morën pjesë nëntë anëtarë të Kongresit, të cilët vëzhguan procesin në 55 qendra votimi të përzgjedhura rastësisht.
Në raportin e tyre, vëzhguesit theksuan se dita e zgjedhjeve kaloi në qetësi dhe me menaxhim të mirë, pavarësisht disa parregullsive të vogla, si mungesa e njohurive të votuesve për ndryshimet në qendrat e votimit, mbyllje jo të njëtrajtshme të kutive dhe përfaqësim të pamjaftueshëm të komuniteteve joshumicë në komisionet e votimit. Gjithashtu, u evidentua mungesa e aksesit për votuesit me aftësi të kufizuara në shumicën e qendrave.
Kryetarja e delegacionit, Dominique Levêque, vlerësoi ligjin e ri zgjedhor si një hap përpara për një proces demokratik, ndërsa theksoi edhe pjesëmarrjen aktive të komunitetit serb në zgjedhje. Megjithatë, u shprehën shqetësime lidhur me politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vendimet fillestare për refuzimin e Listës Serbe dhe mediave në gjuhën serbe, të cilat më vonë u rishikuan.
Vëzhguesit gjithashtu u shprehën keqardhje për numrin e ulët të grave kandidate dhe përfaqësimin e tyre në administratën zgjedhore, duke sugjeruar nevojën për përpjekje më të mëdha për përfshirjen e tyre në demokracinë lokale.
Raporti përfundimtar i këtij misioni do të diskutohet në Sesionin e Kongresit të Këshillit të Evropës në mars 2026.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:
Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale i Këshillit të Evropës mirëpret zhvillimin e zgjedhjeve lokale pluraliste, gjithëpërfshirëse dhe garuese, pavarësisht politizimit të institucioneve
Pas ftesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një delegacion në përbërje prej nëntë anëtarësh i Kongresit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, i kryesuar nga Dominique Lévêque (Francë, SOC/G/PD), përmbylli dje misionin e tij për vëzhgimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë , të mbajtura të dielën më 12 tetor 2025. Kjo ishte hera e parë që Kongresi i ka vëzhguar zgjedhjet në Kosovë.
Në ditën e zgjedhjeve, katër ekipe të Kongresit ishin të pranishme në 55 qendra votimi të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme, nga hapja e qendrave deri në mbylljen e tyre dhe numërimin e votave në komuna të ndryshme. Para misionit në terren, më 10-11 tetor, u zhvilluan takime me institucionet përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve, organet për shqyrtimin e ankesave dhe parashtresave, si dhe me përfaqësues të trupit diplomatik, mediave dhe OJQ-ve. Delegacioni zhvilloi gjithashtu diskutime me partitë politike dhe kandidatët që morën pjesë në zgjedhjet e vitit 2025.
Në përgjithësi, vëzhguesit e Kongresit konstatuan se dita e zgjedhjeve u karakterizua nga qetësia dhe menaxhimi i mirë i procesit, me vetëm disa parregullsi të vogla, duke përfshirë faktin që kishte votues të cilët nuk ishin të vetëdijshëm lidhur me ndryshimet e fundit në qendrat e tyre të votimit, mbylljen jo të njëtrajtshme të kutive të votimit, veçanërisht në zonat rurale, si dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm të komuniteteve joshumicë në përbërjen e komisioneve të qendrave të votimit. Për më tepër, vëzhguesit evidentuan mungesën e qasjes në shumicën e qendrave të votimit për votuesit me aftësi të kufizuara në lëvizje. Megjithatë, delegacioni vlerësoi lartë qasjen profesionale dhe bashkëpunuese të komisionerëve të qendrave të votimit, të cilat vepruan në përputhje me dispozitat ligjore. Anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit dëshmuan trajnim adekuat, ndërsa materialet informuese ishin të disponueshme në disa gjuhë.
Duke komentuar lidhur me misionin e përgjithshëm të vëzhgimit, udhëheqësja e delegacionit, Dominique Lévêque, deklaroi:
“Korniza e rishikuar ligjore zgjedhore, e zbatuar për herë të parë në zgjedhjet lokale, ka mundësuar zhvillimin e një procesi zgjedhor me standarde demokratike. Fushata elektorale u karakterizua nga një ton kryesisht i matur dhe respektues, me një numër më të ulët rastesh të gjuhës së urrejtjes dhe fjalimeve denigruese ndërmjet kandidatëve, si në hapësirat online ashtu edhe në mediat tradicionale, pavarësisht klimës politike gjithnjë e më të polarizuar në nivel qendror.
Mjedisi i përgjithshëm i fushatës ishte i lirë dhe i drejtë, megjithëse u evidentuan raste të përdorimit të burimeve administrative dhe pozitave zyrtare për qëllime politike. Votuesit, duke përfshirë edhe ata nga komunitetet joshumicë, patën mundësinë të zgjedhin mes një game të gjerë kandidatësh, me 93 subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje dhe delegacioni përgëzoi veçanërisht pjesëmarrjen e komunitetit serb të Kosovës në procesin e djeshëm zgjedhor.
Nga ana tjetër, shprehim keqardhje për vendimet fillestare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për refuzimin e certifikimit të Listës Srpska dhe për mohimin fillestar të akreditimit të mediave në gjuhën serbe. Këto vendime, megjithatë, më pas u rishikuan dhe u korrigjuan. Sidoqoftë, kemi vërejtur një politizim në rritje të KQZ-së, një institucion që njihet për kompetenca teknike. Kjo tendencë përbën shqetësim të veçantë. Në të njëjtën kohë, kemi theksuar efikasitetin dhe rolin kyç të mekanizmave të pavarur për ankesat dhe parashtresat zgjedhore, siç janë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme.
Na vjen keq që ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës ndikoi në mënyrë negative në fushatë, duke errësuar disi çështjet e rëndësisë lokale. Megjithatë, temat lokale u trajtuan gjerësisht në debatet e shumta të transmetuara gjatë javëve para zgjedhjeve dhe pjesëmarrja në zgjedhje ishte e krahasueshme me zgjedhjet e kaluara lokale.
Në të njëjtën kohë, delegacioni shprehu keqardhje për numrin e ulët të kandidateve për kryetare komunash, mungesën e tyre në raportimet mediatike dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm në administratën zgjedhore. Duhet bërë më shumë për të nxitur pjesëmarrjen e grave në demokracinë lokale, duke përfshirë edukimin më të mirë të votuesve për të ulur numrin e lartë të votimeve me asistencë, të vërejtur sidomos në zonat rurale.
Pjesëmarrja e votuesve jashtë vendit në zgjedhjet lokale duhet të rishqyrtohet, në përputhje me Rekomandimin 369(2015) të Kongresit.
Së fundi, e vlerësojmë dhe e mirëpresimin përkushtimin e Kosovës ndaj demokracisë lokale, duke përfshirë referimin e qartë në Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale në Kushtetutën e Kosovës. Theksojmë se demokracia lokale në Kosovë, ndonëse dinamike dhe pluraliste, mund të forcohet më tej përmes rritjes së autonomisë lokale në një sistem që mbetet ende tejet i centralizuar. Zgjedhjet e djeshme mund të përfaqësojnë një hap domethënës në këtë drejtim.”
Raporti informues për zgjedhjet lokale 2025 në Kosovë do të diskutohet në Sesionin e Kongresit në mars 2026.