
Në disa QKN në Prishtinë, Podujevë e Kllokot nuk është duke u zhvilluar procesi i numërimit
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, konfirmoi se në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot aktualisht nuk është duke u zhvilluar procesi i numërimit.
“Në disa QKN, si në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot, ky proces nuk është duke u zhvilluar aktualisht për shkak të rrjetit të dobët të internetit, i cili po pamundëson transmetimin e pamjeve në televizorët/ekranet për vëzhguesit. Në këto ekrane duhet të shfaqen pamjet nga kamera e vendosur në tavolinën e numërimit ku prezantohen fletëvotimet, për t’u parë nga të gjithë. Ekipet e KQZ-së janë duke punuar që ky proces të fillojë sa më shpejt edhe në këto QKN dhe për këtë KQZ-ja do të njoftojë me kohë”, tha Elezi.
Ai bëri të ditur se procesi është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prizren (me 6 grupe numërimi), Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.
“Në QKN e Hanit të Elezit numërimi dhe verifikimi është përmbyllur të hënën në mbrëmje. Deri më tani, janë verifikuar rezultatet nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale si dhe janë numëruar votat për anëtarë të Kuvendeve Komunale nga 250 vendvotime në nivel vendi, pra janë procesuar 500 kuti votimi nga dy llojet e zgjedhjeve. Platforma e rezultateve është duke funksionuar pa ndonjë problem”, tha Elezi për RTV21.