Publikohen shpenzimet tremujore të partive politike

Publikohen shpenzimet tremujore të partive politike

Zgjedhjet Lokale 2025 October 22, 2025 - 13:20

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e shpenzimeve të tremujorit (korrik – shtator 2025) të subjekteve politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje për këta muaj ka harxhuar më së shumti të holla nga të gjitha partitë e mëdha politike në vend. Për korrik, gusht dhe shtator ky subjekt politik shpenzoi 663 mijë e 459 euro e 47 centë. Nga këto të holla, për paga LVV-ja shpenzoi 238 mijë e 528 euro e 26 cent, për mallra dhe shërbime anëtarët e LVV-së harxhuan 420 mijë e 182 euro e 88 centë. Kurse, për shërbime të telekomunikimit ishin 7 mijë e 862 euro e 93 centë, për shpenzimet për shërbime janë 1.478 euro e 60 centë.

LVV-ja i shpenzoi 8 mijë e 124 euro e 77 cent për mobilie dhe pajisje me vlerë të vogël deri në 1 mijë euro, si dhe 1.498 euro për mobilie dhe pajisje ndërmjet 1 mijë dhe 5 mijë euro. Blerjet e tjera të mallrave dhe shërbimeve ishin 140 mijë e 769 euro, për lëndë djegëse 31 mijë e 72 euro e 56 cent. Për qiratë u shpenzuan 84 mijë e 957 euro e 94 cent, për shpenzimet e marketingut VV harxhoi 110 mijë e 78 euro e 51 centë, shpenzimet e përfaqësimit kapin vlerën e 5.530 euro e 42 centë, si dhe për shpenzime komunale shkuan 4.784 euro e 33 centë.

Për muajt korrik, gusht dhe shtator, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpenzuar 188 mijë e 533 euro e 72 cent. Nga këto del se 91 mijë e 847 euro e 2 centë u shpenzuan për paga, 1,154 euro e 60 cent u shpenzuan për shërbimet e telekomunikimit. Ndërsa në rubrikën shpenzimet për shërbime, LDK-ja i pati 15.258 euro e 99 centë. Për blerjet tjera të mallrave dhe shërbimeve, LDK-ja harxhoi 35 mijë e 833 euro e 90 centë, për lëndë djegëse 1.611 euro e 27 centë.

E dyta për shpenzime pas LVV-së vjen Partia Demokratike e Kosovës me 220 mijë e 660 euro e 77 centë. Sipas dokumentit të KQZ-së, PDK-ja ka harxhuar 106 mijë e 339 euro e 51 cent në paga, në mallra dhe shërbime 61 mijë e 555 euro e 50 centë, në shërbime të telekomunikimit 39 euro e 98 centë, në shpenzimet për shërbime 1.740 euro e 25 centë.

Ndërkaq, në mobilie dhe pajisje me vlerë të vogël deri në 1 mijë euro, PDK-ja shpenzoi 2.118 euro, në blerjet tjera të mallrave dhe shërbimeve u harxhuan 2.336 euro e 82 centë, në mirëmbajtje dhe riparime të tjera shkuan 305 euro, në qiratë 18 mijë e 838 euro e 6 centë; në shpenzimet e marketingut 32 mijë e 770 euro e 5 centë, në shpenzimet e përfaqësimit 2.717 euro e 34 centë, në shpenzimet komunale 2 mijë e 81 euro e 36 centë, ndërsa për shpenzime të ndryshme shkuan 50 mijë e 684 euro e 40 centë.

Kurse në llogaritë përllogaritëse për avancë, LDK-ja raportoi se ka harxhuar 68 euro e 87 centë, në shërbimet për sigurim dhe regjistrim figurojnë 704 euro e 53 centë, në mirëmbajtje dhe riparime, 1 mijë e 49 euro, për qiratë, 14 mijë e 88 euro e 50 centë, për shpenzimet e marketingut u shpenzuan 25 mijë e 908 euro, për shpenzimet komunale ishin 569 euro e 79 centë, si dhe për shpenzime kapitale 438 euro e 28 centë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës del se për tre muaj ka harxhuar 40 mijë e 765 euro e 16 centë. Sipas dokumentit të KQZ-së, AAK-ja ka shpenzuar 6.869 euro e 8 centë në paga; në shërbimet e telekomunikimit janë shpenzuar 494 euro e 73 centë; në mirëmbajtje dhe riparime të tjera u shpenzuan 590 euro e 50 centë; në shpenzimet komunale 1.378 euro e 32 centë; si dhe në shpenzime pa kategori, 31 mijë e 432 euro e 53 centë.

Për të parë më shumë në detaje të gjitha dokumentet e KQZ-së klikoni këtu.