
Supremja e kthen në rivendosje në PZAP ankesën e AAK-së për zgjedhjet në Junik
Gjykata Supreme ka njoftuar se kolegji i saj e ka pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Çështja është kthyer në rivendosje, në PZAP, transmeton Zeri.info.
Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte hedhur si të palejuar ankesën e subjektit politik AAK, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar, mes të tjerash, që “të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale dhe Komuna e Junikut të shkojë në rivotim për shkak të shkeljeve të cekura në ankesë, të cilat kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor”.
“Gjykata Supreme e Kosovës nuk e ka pranuar si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP-it lidhur me hedhjen poshtë si të palejuar të ankesës të parashtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke konsideruar se ankesa është dashtë të trajtohet në bazë të meritave dhe jo të hedhet poshtë si e palejuar”.
“Ndaj, Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit AA. nr. 92/2025 ka kërkuar nga PZAP-i që në rivendosje t’i evitojë shkeljet e evidentuara ligjore dhe të vendosë në mënyrë meritore lidhur me ankesën e subjektit politik AAK”, thuhet në njoftimin e Supremes. /Zëri