KQZ-ja sot vendos për fushatën e rundit të dytë, votimin jashtë Kosovës dhe vëzhguesit
Foto: Laura Hasani

KQZ-ja sot vendos për fushatën e rundit të dytë, votimin jashtë Kosovës dhe vëzhguesit

Zgjedhjet Lokale 2025 October 24, 2025 - 08:15

Sot, duke filluar në orën 11:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe pika kryesore në rend të ditës do të jetë miratimi i planit të aktiviteteve për organizimin e rundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

Ky lajm është konfirmuar mëngjesin e së premtes nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në mesin e këtyre aktiviteteve për të cilat do të vendosë KQZ janë edhe koha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në rundin e dytë, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.

Gjithashtu, KQZ-ja do të vendosë për periudhën e aplikimit dhe konfirmimit të vëzhguesve të subjekteve politike garuese si dhe për konfirmimin e vëzhguesve të mediave, OJQ-ve, përfaqësive diplomatike etj.

Deri më tani, sipas rezultateve jopërfundimtare, rundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.