KQZ-ja shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale, me përjashtim të tri komunave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka miratuar të shtunën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale, për raundin e parë me përjashtim të tri komunave, Prishtinë, Junik dhe Mamushë.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka theksuar se Prishtina, Juniku dhe Mamusha nuk i kanë ende të përfunduara të gjitha procedurat për të ditur rezultatet përfundimtare, si pasojë e disa ankesave që janë ende duke u shqyrtuar në PZAP.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me PZAP-në dhe nga ky institucion kemi marrë konfirmim se nuk ka ankesa aktive lidhur me zgjedhjet për kryetarë komunash për shumicën e komunave, përveç Komunës së Prishtinës, Junikut dhe Mamushës”.
“Këto ankesa janë në trajtim e sipër, andaj KQZ-ja sot do të bëjë shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve për 35 komunat e tjera, ndërsa për tri komunat e mbetura shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet në vijim, pasi të konsumohen të gjitha mundësitë për paraqitjen e ankesave edhe në Gjykatën Supreme”, ka thënë Radoniqi. Në këto komuna do të shpallet rezultati pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Suhareka, Vitia, Vushtrria dhe Kllokoti janë komunat ku kandidatët për kryetarë do të përballen në balotazh.
Në nivel vendi, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) udhëheq me numrin më të madh të garave në balotazh që do të mbahen më 9 nëntor, e pasuar nga LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe.
LDK-ja, garon në 7 komuna në balotazh (pa përfshirë Prishtinën e Junikun)
PDK-ja, garon në 6 komuna në balotazh
AAK-ja, garon në 4 komuna në balotazh (pa përfshirë Junikun)
Lista Serbe, garon në 1 komunë në balotazh në Kllokot.
LVV-ja pa ballotazh ka fituar në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime, ndërsa PDK-ja në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit. Pa balotazh, LDK-ja ka fituar në Istog dhe Lipjan, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan.
Gara është mbyllur që më 12 tetor edhe për Ramiz Lladrovcin në Drenas, si dhe për Nismën në Malishevë.
Lista Serbe i ka fituar pa balotazh nëntë komuna me shumicë serbe.