Dorëheqje nga LDK-ja në Fushë-Kosovë “për shkak të padrejtësive që po ndodhin brenda strukturave të partisë”
Një anëtarë i LDK-së në Fushë –Kosovë, ka lajmëruar dorëheqjen, duke e bërë këtë “për shkak të padrejtësive që po ndodhin brenda strukturave të partisë”.
Albert Dumani, i cili thotë se ka qenë i angazhuar që nga periudha e paraluftës në LDK, ka marrë vendim të largohet nga kjo parti, pasi siç thotë, me kalimin e kohës, ka ndjerë frustrim dhe zhgënjim të thellë për shkak të padrejtësive që po ndodhin brenda strukturave të partisë.
“E kam përjetuar LDK-në si shtëpi politike e shpirtërore, si një ideal për të cilin ia ka vlejtur të punosh me ndershmëri e përkushtim. Por, me kalimin e kohës, kam ndjerë frustrim dhe zhgënjim të thellë për shkak të padrejtësive që po ndodhin brenda strukturave të partisë — ku shpesh favorizohen individë pa kurrfarë kontributi, ndërsa anashkalohen ata që kanë dhënë shumë, me vetmohim dhe sinqeritet”, ka njoftuar Dumani në një shkrim në rrjetet sociale.
Ndryshe, këto ditë ka pasur raportime se pakënaqësitë në degën e LDK-së në Fushë-Kosovë, kanë arritur kulmin pas koalcionit të arritur për balotazh me PDK-në./Zëri
Shkrimi i plotë:
Dorëheqje nga anëtarësia në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK)
Të nderuar anëtarë të strukturave të LDK-së,
Përmes këtij njoftimi, dua t’ju bëj me dije vendimin tim për t’u tërhequr nga anëtarësia në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ky nuk është një vendim i lehtë — përkundrazi, është ndoshta një nga më të vështirët që kam marrë ndonjëherë, pas gjithë atij angazhimi e aktiviteti që kam pasur për vite të tëra, qysh nga periudha para luftës e deri më sot.
E kam përjetuar LDK-në si shtëpi politike e shpirtërore, si një ideal për të cilin ia ka vlejtur të punosh me ndershmëri e përkushtim. Por, me kalimin e kohës, kam ndjerë frustrim dhe zhgënjim të thellë për shkak të padrejtësive që po ndodhin brenda strukturave të partisë — ku shpesh favorizohen individë pa kurrfarë kontributi, ndërsa anashkalohen ata që kanë dhënë shumë, me vetmohim dhe sinqeritet.
Kjo gjendje më ka bërë të reflektoj thellë, sepse kam ndjerë se vlerat e dikurshme për të cilat jam angazhuar me bindje të plotë, sot po zbehen përballë interesave të ngushta dhe vendimeve të padrejta.
Në këtë rast, dua t’u kërkoj falje të gjithëve atyre me të cilët kam pas kundershtime gjatë këtyre viteve, gjithmonë duke besuar se po mbroja vlerat e vërteta të LDK-së dhe njerëzit që unë i kam konsideruar të merituar. Nuk kam pasur qëllim tjetër përveç ruajtjes së asaj që besoj se ka qenë thelbi i këtij subjekti politik — ndershmëria, përkushtimi dhe dashuria për vendin.
Me gjithë respektin dhe kujdesin për të kaluarën time në LDK, ndihem i detyruar të largohem për të ruajtur integritetin tim personal dhe profesional, si dhe për të mos qenë pjesë e një procesi ku vlerat po zëvendësohen nga padrejtësia dhe joprofesionalizmi.
Ju falënderoj për bashkëpunimin dhe momentet e mira ndër vite, dhe uroj që LDK të gjejë sërish rrugën e saj të vërtetë.
Me respekt:
Dr Spec.Albert E Dumani
Ish Antarë i kryesise së nëndegës Nr.7.
Miradi e Poshtme, Dega Fushë Kosovë